shytiVëllezërit Orik dhe Leart Shyti i janë përgjigjur sot ish-kreut të PD Sali Berisha, pasi ky i fundit i ka akuzuar për lidhje me projektin mbi stadiumin e ri kombëtar.


Në një deklaratë për media me titullin ironik Disa fjalë për sihariqin e fundit të Sali Berishës, vëllezërit Shyti shkruajnë:


Ne hakmarrësit sot morëm sihariqin e radhës. Qenkemi në ortakëri për ndërtimin e një kulle pranë stadiumit kombëtar Qemal Stafa. Nuk i kemi të rralla sihariqet, por ky i sotmi është më shtatlartë se të tjerët, është kullë. Kemi 20 vjet që krimet dhe ndërtimet tona i marrim vesh nga Sali Berisha. Dhe kjo është normale. Se nga kush tjetër, përveçse nga ideatori dhe pronari i Hakmarrjes për Drejtësi do ti merrnim vesh? Ai e ndihen për detyrë që, sa herë ndodhin krime të rënda dhe ka ndërtime të mëdha, Hakmarrja e tij të ketë pjesën e saj.


Është zakon i lashtë ndër shqiptarë që lajmësit diçka i jepet. Dhe ne kemi bërë sa kemi mundur, i kemi ofruar herë shumëçka e herë diçka me mirënjohjen që i takon. Po kujtojmë se për sihariqet e panumërt që kishte dhënë botërisht për ndërtime pallatesh e vilash, në shtator 2005, sapo bëri betimin si kryeministër, ia ofruam të gjitha pallatet, vilat dhe pasuritë e patundshme. Botërisht iu lutëm që vlerën e gjithë asaj pasurie ta kalonte për të ndihmuar fëmijët e shumtë të mbetur jetimë nga vëllavrasjet në Tropojë, në saje të kujdesit të tij për krahinën ku kishte lindur.


Edhe sot i takon diçka dhe ne po i ofrojmë nga kulla një apartament për çdonjërin nga zëdhënësit që prej vitesh i nxirr në konferenca shtypi për të na dhënë sihariqin e ri. Meqë djemtë, vajzat, gratë dhe burrat që ka përdorur si zëdhënës të tij për Hakmarrjen për Drejtësi janë të shumtë dhe është normale ta kalojnë numrin e apartamenteve të kullës së projektuar, po i sigurojmë të mos merakosen, as të grinden mes tyre se, duan apo sduan qeveritarët vendorë e qendrorë, me ndihmën e Saliut do tia shtojmë edhe një apo dy kate kullës.


Rasti na kujton fjalët për qoftëlargun, Djalli ska dele, por sresht së shituri lesh.