TIRANE - Jonidi sapo ka mbaruar studimet Master për Teknologji Informacioni. Ndërsa i vëllai ka rreth gjashtë vite që është diplomuar për Informatikë. Për muaj të tërë ata kanë punuar për të njëjtin projekt. Ka mbetur edhe pak. Jonidi na premton se brenda këtij viti të gjithë kryeqytetasit do të kenë mundësinë që të pajisen me një program special në celularin e tyre.

Ky program, të cilin Jonidi dhe Juliani kanë dëshirë ta thërrasin në gjuhën teknologjike aplikacion do të mund të na tregojë rrugët e Tiranës, linjat e transportit publik, oraret dhe vendet kryesore. Me pak fjalë këta dy vëllezër do të mund të na tregojnë rrugën nëpërmjet celularit.

Sistemi, me të cilin dy vëllezërit Kanini fituan tre çmime, ekzaktësisht atë Hackathon Albania, ITC Awards dhe World of Diferrences, do të ketë edhe një aspekt shoqëror, duke i lejuar përdoruesit që të ketë në dorë një shërbim unik në fushën e shërbimeve urbane të qytetit dhe rrethit të Tiranës. Shërbimi i autobusëve të transportit publik si dhe të dhëna mbi përdorimin efiçent të sistemit të transportit urban do të jenë shërbimet kryesore.

Djemtë rrëfejnë për gazetën “Shekulli” se ky program do të mund të na tregojë përmes hartës edhe rrugët më të shkurtra që duhet të ndjekim për të mbërritur diku. Dhe pyetjes se si do të mundet aplikacioni të gjejë vendndodhjen tonë dhe rrugën më të shkurtër që duhet ndjekur, Jonidi i përgjigjet: “Aplikacioni do të përdorë sensorë të ndryshëm të telefonit si: kamera, akselerometer, GPS, busull digjitale etj., për të lokalizuar vendndodhjen e përdoruesit. Menjëherë pas kësaj do të shfaqen të dhëna kontekstuale për rrethinat e tij”.

Pyetja që na lind vetvetiu është se sa i vështirë do të jetë ky program në përdorim. Kaninët na shpjegojnë se përmbajtja e faqes së parë është e thjeshtë dhe e organizuar në bazë të shërbimeve dhe informacioneve që ky aplikacion i kthen në shërbime praktike. Po në këtë faqe do të gjejmë pesë butonat e shërbimeve bazë të tij, ku mund të përmendim: linjat, drejtimet, harta, oraret, dhe realiteti virtual. Në shërbimin e parë që është ai i linjave të autobusëve afishohen të gjitha linjat e Tiranës të grupuara në varësi të shërbimeve që ofron transporti publik, distancës së linjës dhe llojit të tij. Aty mund të zgjedhim linjën për të cilën duam informacion dhe më pas do të hapet një faqe ku afishohen në mënyrë lineare, statistika të pergjithshme mbi linjen si dhe radhitjen e stacioneve të linjave respektove. Shërbimi i dytë është “drejtimet”. Është një nga dy shërbimet më të rëndësishme të aplikacionit. Aty algoritmet apo funksionet përpunojnë të dhënat e stacionit të nisjes si dhe atij të mbërritjes.

Nëse ne duam të lëvizim nëpër Tiranë, ky shërbim tregon edhe rrugën më të thjeshtë, duke bërë të mundur edhe treguesin për të ndryshuar urban. Shërbimi i tretë është harta. Në të afishohen të gjitha stacionet ku autobusët ndalojnë. Shërbimi i katërt është një afishim i të dhënave të orareve të nisjes së autobusëve. Shërbimin e pestë, të fundit dhe jo më pak të rëndësishmin dy vëllezërit e kanë quajtur Realitetiti Virtual. Me anën e kameras, programi do të zbulojë se ku jeni dhe ky është stacioni më i afërt i autobusit. Sa më shumë që na shpjegon Jonidi dhe Juliani për këtë program, aq edhe më shumë bëhemi kuriozë. Më parë kemi dëgjuar për të tilla programe nga të afërmit tanë që jetojnë jashtë Shqipërisë. Edhe për pak, vëllezërit Kanini së bashku me një nga kompanitë celulare që po i mbështet, do të na mundësojmë të gjejmë vetveten nëpër Tiranën e madhe tashmë. Jeta 

Emri: Julian Kanini
Datëlindja: 17.01.1983
Vendlindja: Tiranë
Vendbanimi: Tiranë
Arsimi: Informatikë

Emri: Jonid Kanini 
Datëlindja: 23.07.1988 
Vendbanimi: Tiranë 
Arsimi: Inxhinieri 
Gjeoinformatikë, Master IT

 Ka qenë juliani shembulli për vëllanë e vogël. Dhe ka qenë Jonidi ndihma dhe krahu i djathë i Julianit. Ndonjëherë, ata të duken aq njëlloj, sa mendon se i kanë hak edhe inicialet e përbashkëta: JK. Madje, Jonidi bën shaka ndonjëherë duke thënë se janë JK në katror. E në fakt, shumëkush prej atyre që i njohin vëllezërit Kanini, do të thoshte se ata janë të pandashëm, e nëse gjithnjë do të punojnë bashkë, do të bëjnë mrekullira.

Mrekullia e parë është një sistem që së shpejti mund të instalohet në celularët tanë, duke i lejuar përdoruesit që të ketë në dorë një shërbim unik në fushën e shërbimeve urbane të qytetit dhe rrethit të Tiranës. Ka qenë ky projekt i parë i dy vëllezërve, cili i ka dhënë atyre kënaqësinë e tre çmime në fushën e teknologjisë. Atë kanë fituar çmimet: Hackathon Albania, ITC Awards dhe World of Diferrences.

Marrë nga "Shekulli"
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)