18/04/2012  Mashtrimet, policia e Elbasanit arreston sekserin. Shpallen në kërkim 2 të tjerë


ELBASAN- Të gjente punë në arsim për 3 mijë euro, por vërtetimet e punës rezultonin fals, vihet në pranga 56-vjeçari. Hiqej si mik i Drejtorit të Arsimit në Elbasan dhe në bashkëpunim me dy persona të tjerë bënin vërtetime fals me firmën e Mati Celës për emërime në arsim.


Mashtrimi


Pasi kanë mbërritur tre denoncime nga qytetarët, Sektori kundër Krimit Ekonomik Financiar ka realizuar operacionin “Arsimtari” duke vënë në pranga një të ashtëquajtur sekser dhe shpallur në kërkim dy të tjerë. Haxhi Xibrraku 56 vjeç me banim në lagjen “5 Maj” është arrestuar, pasi, sipas hetimeve të policisë, prej disa muajsh 56-vjeçari në bashkëpunim me dy persona të tjerë emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkak të hetimeve, realizonte punësime fiktive nëpërmjet vërtetimeve të punësimit fals. Në këmbim të këtij vërtetimi ata merrnin 3 mijë euro, të cilat i ndanin me njëri-tjetrin. Denoncimi i fundit që ka kryqëzuar falsifikatorët ka qenë në shkollën e Shushicës për pozicionin e mësuesit të Gjuhë-Letërsisë definitiv. Policia gjithashtu ka filluar procedimin në gjendje të lirë edhe ndaj shtetasve që kanë bërë denoncimin për korrupsion pasiv. Kështu E.SH 35 vjeç me banim në lagjen “5 Maj”, L.M 38 vjeç me banim në lagjen “Shën Koll” dhe A.K 25 vjeç kanë qenë ato që kanë denoncuar për emërimet fals në polici duke deklaruar se kishin dhënë 3 mijë euro për një vend pune. Sipas policisë, “sekserët” i premtonin punë duke i marrë paratë dhe kur këto të fundit shikonin që vendi i punës nuk ekzistonte, por ishin mashtruar ata kërkonin sekserin fillimisht dhe më pas tre prej tyre i janë drejtuar policisë.


Shtetasi Haxhi Xibraku akuzohet për veprën penale “falsifikim dokumentesh”. Vazhdojnë kërkimet për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.