Partia Demokratike reagon ashpër pas vendimit të Gjykatës së Apelit për ti hequr burgimin e përjetshëm Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e 4 policëve.


Partia Demokratike në reagimin e saj dhënë sot në një njoftim për mediat, shkruan se “3 ditë me vonesë, të shtrënguar nga presioni ndërkombëtar dhe revolta e opinionit publik, kukullat e Edi Ramës në Ministrinë e Brendshme dhe në Ministrinë e Drejtësisë u bënë pjesë e teatrit kriminal me aktor Dritan Dajtin dhe regjisor Edi Ramën”.


Sipas PD-së “lotët e krokodilit nuk e ndryshojnë dot faktin se vrasësi i 4 Dëshmorëve të Atdheut, Dritan Dajti, është praktikisht i liruar nga drejtësia e re e Edi Ramës”.


“Shqiptarët mund të gënjehen njëherë, por jo përgjithmonë! Në vend që tu besojnë kërcënimeve qesharake të eunukut të Ramës në Ministrinë e Brendshme, shqiptarët e dinë se karrigia e Edi Ramës është blerë nga votat e krimit të organizuar, i cili, fatkeqësisht, nuk luftohet dot me lotë krokodili”, shkruan PD.


PD parashtron faktet që sipas kësaj force politike janë kokëforte:


Edi Rama kishte nën kontroll Gjykata e Lartë, kur ajo zhvlerësoi dënimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe i hapi rrugë vendimit skandaloz që siguron lirinë e shpejtë të një prej kriminelëve më të tmerrshëm. Edi Rama, njeriu që përgojon gjithë Tiranën, heshti kur Gjykata e Lartë ndihmoi Dritan Dajtin, heshti edhe 3 ditë më parë, pas vendimit skandaloz për Dritan Dajtin. Në qeverisjen e Edi Ramës të gjithë bandat dhe kriminelët më të rrezikshëm janë lënë të lirë, që nga Hakmarrja për Drejtësi, Banda e Durrësit tek Banda e Lushnjës dhe trafikantët ndërkombëtarë të kokainës në Xibrakë.


Në vend të lotëve të krokodilit për një vendim të dirigjuar nga Edi Rama, Ministrja e Drejtësisë duhet ti kërkojë prokurorisë që të zbardhë përgjimet nga burgu të Dritan Dajtit dhe tu thotë shqiptarëve:


Me kë komunikon nga burgu Dritan Dajti?


Kë shantazhon nga burgu vrasësi i 4 policëve në krye të detyrës?


Kush i ka dalë Dritan Dajtit garant për lirimin e tij të shpejtë?


“Pyetjet janë konkrete dhe kërkojnë përgjigje konkrete, jo lojra fjalësh e mashtrime për shkarkime gjyqtarësh nga qeveria që ka në dorë të shkarkojë Vangjush Dakon, por vazhdon ta mbrojë atë për blerjen e votave në bashkëpunim me të ngjashmit e Dritan Dajtit.”, e mbyll njoftimin e saj PD.


Gazeta Shqip