Migen Memelli me golin e tij kundër Teutës (1-0) tri minuta para përfundimit të pjesës së parë i dhuroi Tiranës fitoren e parë në sezonin e ri e të parën për trajnerin kroat Bllazhe Slishkovic. Ish-sulmuesi i Gaisit në Suedi shënoi kështu golin e parë të 23-herë kampioneve pas barazimit pa gola në Shkodër kundër Vllaznisë.
Tirana dominoi plotësisht takimin në fushën asnjanëse "Tofik Jashari" të Shijakut ndaj një Teutë ende të parritur e me lojtarë të rin. Gjithsesi, në minutën e 3-të, Qazim Buna i Teutës goditi mjeshtërisht, por portieri veteran i Tiranës, Blendi Nallbani, e devijoi topin në goditjen këndi.
Në minutën e 13-të Xhafaj goditi me kokë, e më pas Ansi Agolli rrezikoi për bardheblutë. Në të 18' pas krosimit të Bledar Devollit, Daniel Xhafaj gjuajti por, Vashaku eliminoi një gol të sigurt, derisa do të vinte goli i ish-sulmuesit të Bran Bergenit, Migen Memelli në minutën e 42-të, një gol që mbijetoi deri në përfundim të 90 minutave të gjykuara nga laciani Sokol Cekaj. Për Tiranën kjo ishte fitorja e 72-të në 144 ndeshje me Teutën (34 fitore).
Në javën e tretë, më 14 shtator Tirana do të përballet me Partizanin, të cilit në merkaton e këtij sezoni i ka marrë tre lojtarë: Devollin, Osmanin e Muzakën. Teuta do të udhëtojë në Peqin për t'u përballur me Shkumbinin, që vjen nga humbja 3-1 me Dinamon.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA II
TEUTA-TIRANA 0-1
Shënues: / Memelli 42'
E shtunë, 30.08.2008, ora 17:00 në stadiumin "Tofik Jashari" të qytetit të Shijakut
TEUTA: Vashaku, Dushku, Likmeta 55' Malo), Jakupi, Gjondeda, Buna, Stafa (46' Ndreka), Vila, Mucollari, Hysa, Mile (67' Ahmeti). Trajner: Sulejman Starova
TIRANA: Nallbani, Dabulla, Lila, Abraham, Memelli (85' Kcira), Devolli, Agolli, Lilaj (67' Sefa), Peca, D.Xhafaj (67' Hajdari). Trajner: Bllazh Slishkovic
Gjyqtarë: S.Cekaj (Lac), A. Molla (Lac), A.Mali (Patos)
Vëzhgues: N.Jareci (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Mucollari, Buna, Dushku /Lila
Bilanci i azhurnuar
144 ndeshje; 34 fitore Teuta, 38 barazime, 72 fitore Tirana. Golat: 122-227.
TRAJNERËT PAS NDESHJES
Sulejman Starova (Teuta): "Goli i Tiranës ishte rezultat i një rreshtimi të gabuara. Do të nxjerrim mësime e duhura".
Bllazh Slishkovic (Tirana): "Më gëzoi pa masë marrja e tri pikëve. Këtë fitore ia dedikojmë tifozit të skuadrës sonë, i cili vdiq në Holandë".

NDESHJET E JAVËS III
Tirana-Partizani
Shkumbini-Teuta