Venera Kastrati përfaqëson Shqipërinë në edicionin e 25-të të Bienales së Aleksandrisë në Egjipt, për vendet e Mesdheut. Aktiviteti, i cili ka nisur më 17 dhjetor dhe do të përfundojë më 31 janar 2010, pret rreth 30 artistë që vijnë nga Italia, Kroacia, Qipro, Egjipti, Franca, Greqia, Libani, Libia, Malta, Maroku, Palestina, Sllovenia, Spanja, Siria, Tunizia, Turqia e Shqipëria. Tema e këtij viti do të jetë "Dita e mëpasme", ose thënë ndryshe ajo që do të vijë pas krizës ekonomike. Sfida e ekzistencës, ndryshimet prej përkatësive të ndryshme etnike dhe atributet e përbashkëta të grupeve të njerëzve, si etnike ashtu edhe gjeografike, kanë luajtur gjithmonë një rol të madh në format e dominimit, shpërndarjen e pushtetit global dhe pse jo edhe rregullimin e kufijve gjeografikë. Dhe nëse këto lloj sfidash luajnë një rol kyç në formimin e strukturave të popujve të ndryshëm dhe mjeteve e tyre për të treguar veten, atëherë lind pyetja: Deri në çfarë mase sfidat e reja kanë ndikuar në rajonin e Mesdheut? A ishin ato në gjendje të ndryshonin gjeografikisht aspektet e përkatësive historike të Mesdheut? Dhe deri në çfarë mase? Janë këto disa prej pyetjeve që ngre kjo bienale, së cilës do t‘i duhet t‘i përgjigjen artistët pjesëmarrës, duke qenë se Mesdheu ka qenë një nga pikat më të rëndësishme të evolucionit njerëzor, duke u kthyer në një dëshmitar të kryqëzimet fetare dhe shpirtërore, por edhe duke dhënë kontributin e vet edhe në lindjen e shkencës. Edicioni i parë i Bienales së Aleksandrisë është mbajtur në vitin 1955, në Muzeun e Arteve të Bukura të Aleksandrisë. Qëllimi i saj është të çelë një dialog artistik e kulturor mes Egjiptit dhe vendeve të Mesdheut e më gjerë. Këtë vit, bienalja feston 25-vjetorin e veprimtarisë së saj dhe për herë të parë pjesëmarrësit janë përzgjedhur prej muratorit Mohammed Abuelnaga, dhe jo prej kandidaturave të propozuara nga vendet prej nga vijnë, siç ka ndodhur në edicionet e mëparshme. Këtë vit, Algjeria nuk do të përfaqësohet në këtë veprimtari. Artisti përfaqësues, Zineb Sedira, nuk ka marrë pjesë për shkak të tensioneve diplomatike mes vendit të tij dhe Egjiptit, pas ndeshjes së futbollit mes kombëtareve përkatëse. Ndërkaq, të ftuarit e nderit të këtij edicioni janë Michelangelo Pistoletto dhe Suha Shoman, themeluesja dhe drejtoresha e fondacionit "Darat al Funun".