venoMinistri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos, do të vizitojë të hënën Tiranën. Ministria e Jashtme greke konfirmon vizitën e kryediplomatit dhe zëvendëskryeministrit grek, Evangelos Venizelos. MPJ bën me dije se Venizelos do të vizitojë Tiranën, të hënën në 14 tetor, ku fillimisht do të pritet nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, më pas do të ketë takime me kryeministrin Edi Rama, kryeparlamentarin Ilir Meta dhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.


Zyrtari i lartë grek do të ketë takime edhe me kreun e PD, Lulzim Basha, kreun e PBDNJ, Vangjel Dule, ndërsa do të vizitojë gjithashtu edhe selinë e Kishës Ortodokse, ku do të takojë edhe Kryepeshkopin Anatastas.


Sipas medias greke, në takimet do të trajtohen çështje dypalëshe, si procesi i ratifikimit të Marrëveshjes për zonat detare, e cila ka mbetur e ngrirë, çështja e përcaktimit të zonave ekonomike ekskluzive, bashkëpunimi për TAP, por dhe çështjet e migracionit, si çështja e pasaportave të fëmijëve të emigrantëve shqiptare, ku emrat e toponimeve greke janë shkruar vetëm në gjuhën shqipe.


Vizita e Venizelos në Shqipëri, zhvillohet disa ditë para asaj të presidentit grek, Karolos Papulias, më 4 dhe 5 nëntor. Kjo vizite bëhet gjithashtu edhe në kuadrin e Presidencës së BE-së, që Greqia do ta marrë në janar të vitit 2014.