\"Dhuna e Policisë\" ishte tema e parë që u diskutua dje në kuadër të tryezave të rrumbullakëta për drejtësinë të organizuara nga Lëvizja Shqipëria e Re në bashkëpunim me Alternativen Civile. Tryeza e organizuar dje në Hotel Rogner me përfaqësues të shoqërisë civile, juristë dhe avokatë, shtroi problemin e sjelljes së policisë në paraburgim dhe në marrëdhënie me qytetarët duke ngritur shqetësimin se policia shqiptare duhet të jetë më profesionale dhe në shërbim të komunitetit. Juristja Dorina Daja bëri një ekspoze të raporteve ndërkombëtare mbi problemet e dhunës në burgje dhe sjelljen e policisë shqiptare, ku evidentohej qartë problematika e ushtrimit të dhunës që për pasojë cenonte rëndë të drejtat e njeriut.


Disa pedagogë të së drejtës ngritën shqetësimin që shefat e komisariateve të jenë me profesion juristë dhe ta njohin ligjin. Aktivistia e njohur e drejtave të njeriut e pranishmë në tryezë, Kozara Kati, tha se niveli i funksionimit ligjor të policisë është ende shumë larg asaj që duhet të jetë. Ajo tha se \"Shqipëria nuk zbaton konventat evropiane që ka ratifikuar që në vitet \'90 për mbrojtjen e të drejtave të njeriut\". Ndërsa kryetari i Lëvizjes Shqipëria e Re, Edmond Vlashaj, hodhi një propozim konkret në këtë tryezë. Ai propozoi që të ngrihet një Agjensi Kombëtare Supervizimi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që të merret kryesisht me dhunën e policisë por dhe me supervizimin e funksionimit të administratës. Vlashaj tha se \"unë dhe qytetarë të thjeshtë kërkojmë të shohim reagimin e policisë ndaj kriminelëve, por që në momentin që ne po diskutojmë për dhunën e policisë në një farë mënyrë i krahasojmë vetë policët me kriminelët.


Opinioni publik është shumë i ndjeshëm dhe na duhen raporte imediate për çdo ankesë të qytetarëve ndaj policisë. Këtë mund ta bënte shumë mirë agjensia e supervizimit dhe më pas media, duke ushtruar presion për një çështje të drejtë. KJo agjensi duhet të dalë në mbrojtje të qytetarëve që u shkelen të drejtat\". Duke i qëndruar debatit që u bë për profesionalizmin e shefave të komisiariateve Vlashaj tha se ata ndahen në tre kadegori, shefi mediatik që përdor një rast suksesi për të bërë shoë, shefi aksionist që e shohim në veprim vetëm me aksione dhe shefi profesionist.


Sipas tij ai që vesh rrobën e policit duhet të dijë të respektojë ligjin dhe të drejtat e njeriut. Drejtuesi i Aleancës Civile, gazetari Mentor Kikia tha se këto tryeza bëhen në kuadër të nismës së ndërmarrë nga Ambasada Amerikane \"Vepro Tani\" dhe bëhen me qëllimin për të ngjallur debate publike mbi problemet në sistemin e drejtësisë. Kikia tha se në këto tryeza do të ketë të ftuar dhe pjesë të debatit sa më shumë aktorë të shoqërisë civile me qëllim që të gjithë të ndihen të përfaqësuar, pasi një nismë e tillë nuk mund të jetë pronë e askujt, por synon të jetë në shërbim të qytetarëve.


 


 


Blerina Gjoka