Barcelona kërkon mesfushorin Marco Verratti, por edhe italiani synon të njëjtën gjë, të luajë me skuadrën blaugrana sezonin tjetër. Më lini të shkoj te Barcelona. Unë nuk dua të kthehem më në Paris, ka qenë me pak fjalë mesazhi që Verratti i ka dërguar drejtuesve të klubit francez.


Kështu, pas disa ditësh deklaratash mediatike për një kalim të italianit te Barcelona sot ka qenë vetë lojtari ai që është bërë aktiv dhe ka kërkuar transferimin.


Verratti i kërkon Paris Saint Germanin që ta lërë të lirë, pasi koha e tij te skuadra franceze ka përfunduar dhe tani synon të realizojë ëndrrën e tij, të luajë dhe fitojë me Lionel Messi.


Ky transferim mund ta mbushë me 100 milionë euro arkën e skuadrës së PSG, por ajo prej disa ditësh këmbëngul, duke thënë se Verrati nuk shitet.


Për ta mbajtur mesfushorin, klubi francez po mendon ti rrisë rrogën, por dëshira e lojtarit është të luajë me Barcelonën.