Një amendament në ligjin për dhënien e lejes së përhershme të jetesës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të kalojë ditët në vijim në Kongresin Amerikan, pas propozimit të Departamentit të Punës së administratës së Xhorxh Bushit. Ky amendament do të vështirësojë dhënien e kësaj leje, të njohur gjerësisht si “Green card”, për të gjithë ata që kanë aplikuar për leje për të qëndruar në SHBA për të punuar. Kjo, pasi sipas amendamentit të ri, punëdhënësi i aplikuesit, që është edhe ai pjesë e procedurës, do të duhet të vërtetojë, se për pozicionin përkatës nuk ka asnjë person tjetër të aftë përveç një të huaji.


Amendamenti


Amendamenti pritet të bëjë thuajse të pamundur aplikimin për “Green card” për arsye pune në Shtetet e Bashkuara. Nëse ligji ndryshon, atëherë çdo punëdhënës i një aplikanti që nuk shtetësi amerikane, apo një “Green card”, të fituar për një arsye tjetër, do të duhet t`i shpjegojë agjentëve të Departamentit të Punës së Shteteve të Bashkuara, se përse ky aplikant ka kualifikim më të mirë, se të gjithë shtetasit amerikan.


Punëdhënësi do të duhet të vërtetojë se asnjë prej punëkërkuesve të tjerë, që janë shtetas amerikan nuk ka kualifikim më të mirë akademik se i huaji që aplikon për “kartën jeshile” dhe se nuk është aq i aftë se aplikanti në rezultatet e punës. Kjo do të duhet të vërtetohet me dokumente për sa i përket pjesës shkencore dhe me një sqarim të detajuar të punëdhënësit përpara agjentëve të Departamentit të Punës, të cilët duhet të binden nga argumentet e punëdhënësit, përpara se të aprovojnë “kartën jeshile” për aplikantin. Këto procedura të ndërlikuara pritet të bëjnë që shumë punëdhënës t`i ridrejtohen emigrantëve me “kartë jeshile”, të cilët ndonëse mesatarisht marrin pagë më të lartë se emigrantët pa dokumente, nuk kanë pagë mesatare aq të lartë sa shtetasit amerikan.


Precedentët


Dejvid Xhejms, ndihmëssekretari i Punës për çështjet publike, tha se departamenti është “i bindur se ky propozim është një interpretim i saktë i rregullave që do të vendosen”, duke vënë në dukje favorizimin e qytetarëve amerikanë për punë, përkundrejt të huajve. Ky nuk është precedenti i parë, që ligje disfavorizuese për punësimin e emigrantëve vendosen nga shtete të ndryshme, ndonëse është rasti i vetëm i një propozimi të tillë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Në shumë vende të Bashkimit Evropian, si Britania e Madhe, Malta, etj., punëdhënësit kërkohet që të gjejnë punë për qytetarët e këtyre shteteve, e nëse nuk ka të tillë, të kthejnë sytë nga tregu botëror. Ligji në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të marrë formën përfundimtare dhe të hidhet për propozim në dy dhomat e kongresit amerikan brenda mandatit të Presidentit Xhorxh Bush, që përfundon në janar të vitit 2009.