Mehmet Emërllahu


-Ka disa ditë që në mediat shqiptare (sigurisht edhe ato greke) po lakohet emri i një futbollisti të ri shqiptar, Ergys Kaçe, i cili luan futboll për një skuadër greke. Ergysi qenka dhe është një sportist i talentuar, por që pa dashje apo me dashje, paska bërë një “gabim” të pafalshëm - paska veshur, mbase edhe ekspozuar një fanellë të UÇK-së, e cila i paska nxjerrë telashe të mëdha në skuadrën ku ai luan. Madje deri te propozim-përjashtimi nga skuadra! Dhe ç’është më e keqja, kjo fanellë e paska trembur dhe nevrikosur një kolegun e tij serb, futbollistin Zvonimir Vukiq… Çudi e madhe! Aq shumë qenka trembur futbollisti serb sa çështja e kësaj fanelle të bëhet e madhe dhe në njëfarë mënyre, të ndëshkohet nga ekipi deri në pezullim futbollisti shqiptar, Ergys Kaçe!... Një absurditet i skajshëm, i vazhduar me presione, deri në largim nga ekipi të futbollistit shqiptar, të talentuarit Erys Kaçe, për ta detyruar në njëfarë mënyre që ky i fundit t’i kërkojë falje kolegut të tij serb për “gafën” që paska bërë dhe që s’do ta bëjë më. Pra për t’i shpëtuar ndëshkimit. Me një fjalë, Ergysi i kërkon falje, edhe publike kolegut serb, vetëm e vetëm që të vazhdojë të luajë për skuadrën e përbashkët greke.


Ndërkaq, mediat greke e paskan bërë publike përgjigjen e këtij të fundit, pra të Vukiqit, ku paskësh thënë: "Më vjen keq që më kërkon mua falje dhe jo vetes sate. Me të tilla gjëra mund të kishe mbyllur karrierën tënde. Detyra jote është që të luash në fushë dhe jo të flasësh nëpër media. Unë nuk kam asnjë problem me ty dhe uroj të kthehesh si më parë”. Kjo është një përgjigje diplomatike, por shtrohet pyetja kush e bëri problem çështjen e fanellës dhe pse asaj iu dhanë aq dimensione, edhe politike do të thoshim. Pse futbollisti shqiptar u detyrua të bëjë autokritikë që të mos penalizohet?


Nëse një gjest i tillë, qoftë edhe pa dashje, i nënshtrohet një gjykimi kaq absurd, është për keqardhje në rend të parë për skuadrën greke, që bie nën ndikimin e një futbollisti serb që mund ta pengojë çdo gjë shqiptare. Sporti nuk bën të politizohet deri në atë shkallë sa të merren masa drastike ndaj një kolegu kaq të ri në moshë dhe madje t’i rrezikohet perspektiva. Në anën tjetër, edhe pozicioni nënshtrues i futbollistit shqiptar është i papranueshëm, sepse nuk ka bërë ndonjë faj publik të pafalshëm. Kam përshtypjen se cilido futbollist tjetër, sikur të kishte përdorur një simbol të popullit të vet, askujt nuk do t’i kishte bërë përshtypjen më minimale, e lëre më të merren masa, siç ndodhi me këtë futbollist shqiptar, i cili gati-gati po e rrezikonte prishjen e kontratës me skuadrën greke të futbollit. Arsyetimi pothuaj i dhunshëm i futbollistit shqiptar se “po ta dija se çfarë kuptimi ka stema e këtij flamuri, nuk do ta kisha veshur këtë fanellë”, i bën edhe më tepër dëm këtij futbollisti, sepse para se ai të jetë futbollist, është shqiptar dhe nënshtrimi i këtij farë lloji është i papranueshëm. Aq më tepër, ai është lojtar i kombëtares dhe ky fakt e vë edhe para një përgjegjësie më të dinjitetshme dhe më të madhe.