Ora News zbardh debatin e ndodhur në mbledhjen e KLD-së së 15 shtatorit 2017 të thirrur nga presidenti Ilir Meta lidhur me shqyrtimin e informacionit të përgatitur nga Inspektorati i KLD mbi problematikat që lidhen gjatë zbatimit të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.


Shqetësimi që ngrihet është se ky inspektoriat nuk ka kapacitetet e duhura njerëzore për të bërë rivlerësimin e 466 subjekteve. Kuadri ligjor në fuqi nuk lejon që të komandojmë edhe struktura shtesë.


Jo vetëm kaq, koha e vënë në dispozicion 90 ditë është tepër e shkurtër. Por eshte dhe një problem tjetër, afati 90 ditor ka kaluar të gjitha afatet ligjore. Ministria e Drejtësisë  deklaroi se ky afat tani duhet të paktën të filloj  në momentin kur janë ngritur institucionet dhe  jemi shumë vonë.


Ilir Meta: Unë vetëm kam një lutje, të mos harxhojmë energji shumë se çfarë është bërë deri tani sepse kemi kaq shumë detyrime për të përmbushur dhe na duhen gjithë këto resurse që kemi ti vejmë 100% në punë madje edhe më shumë se kaq dhe të koordinojmë edhe më mirë me këto institucionet e reja që janë krijuar por edhe ato kanë patur vështirësitë e tyre për të funksionuar, por edhe me Euralius-in, por edhe me Opdat-in e cila ka çështje për tu saktësuar


” Tashti, afati 90-ditor ka kaluar, pa diskutim, por në çështjet që diskutoheshin ishte se kur fillonte ky afat dhe nëse ky afat ishte i ngushtë apo jo. Ne duhet të kuptojmë që afati 90-ditor duhet të konceptohet, meqenëse kanë kaluar të gjitha afatet ligjore, duhet të paktën të filloj në momentin kur janë ngritur këto institucione dhe ne jemi shumë vonë. Pra kemi 19 qershorin dhe kemi 19 shtatorin” deklaroi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj


Një pikë e nxehtë debati mes Presidentit Ilir Meta dhe ministres së Drejtësisë. Zonja Gjonaj griti shqetësimin pse Inspektoriati i KLD-së nuk kishte nisur punën më parë. Presidenti kërkoi që të mos merreshin me këtë por me punën që vijon.


“Zoti Kryetar i Këshillit. Në fakt nuk është e vërtetë ajo që thoni ju që nuk ia vlen që të diskutojmë se çfarë ka ndodhur më përpara por duhet të vendosim se çfarë do të ndodhi më këtej” deklaroi ministrja Gjonaj.


Kryeinspektorja pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë deklaroi se nuk ka nisur puna pasi është  pritur ngritja e organeve të rivlerësimit. Por pas ngritjes së organeve të rivlerësimit ishte konstatuar që nuk kishin si ti adresoheshim organeve te rivlerësimit.


Shkresa me problemet e konstatuara është dërguar tek Pallati i Kongreseve tek zyrat që i janë lënë në përdorim organeve të rivlerësimit, ka shkuar ftuesi i KLD-së dhe ka marrë përgjigje se nuk e marrim shkresën sepse nuk kemi zyrë protokolli, nuk kemi regjistra protokolli, nuk kemi staf administrativ.” 


Një nga çështjet e nxehta që duhet diskutuar është edhe fakti se kush do të jetë standardi i vlerësimit për Gjykatën e Lartë dhe për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Për këtë ata kanë kërkuar dhe asistencën e misionit Euralius.


 


Formularet e dokumentacioni per 466 subjekte


Për periudhën 21 tetor 2016 deri 31 mars 2017, pranë Inspektoratit të KLD janë depozituar formularë dhe dokumentacioni shoqërues për vlerësim profesional nga 466 subjekte rivlerësimi


Konkretisht janw 367 gjyqtarë të shkallës së parë dhe të dytë;


16 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë;


19 ndihmës ligjorë të Gjykatës së Lartë;


7 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese;


9 këshilltarë ligjorë të Gjykatës Kushtetuese;


10 inspektorë dhe Kryeinspektorja e Inspektoratit të KLD;


2 gjyqtarë të komanduar në institucionet e tjera;


25 ndihmës ligjorë të gjykatave administrative të shkallës së parë dhe të dytë;


2 ish gjyqtarë.


Pjese nga debati 


Marsida Xaferllari: Inspektorati ka vetëm 10 zyrtarë në funksion nga 16 që ka organika, 40% mungojnë. Problemi është që kuadri ligjor në fuqi dhe ligji Për statusin… tek kompetencat e kufizuara të KLD-së nuk lejon që këto vende vakante të plotësohen.


Volumi i punës janë 466 subjekte rivlerësimi për tu rivlerësuar. Ligji për rivlerësim vendos si afat kohor, afatin 90 ditë, duke shtuar këtu edhe situatën që procesi nuk do të zhvillohet vetëm në zyrë por nevojitet që inspektorët do të shkojnë nëpër gjykatat respektive për të grumbulluar informacionin. Duke shtuar këtu situatën që, neve mund të na nevojiten një komunikim intensiv me organet e rivlerësimit për të marrë udhëzime të rivlerësuara, udhëzime të detajuara për çështjen. Unë nuk dua ti vë termin problem, po për të qenë pozitiv do të thosha që është sfidë.


Ilir Meta: Keni ndonjë ide ju vetë? Çfarë mund të bëhet për të përforcuar burimet njerëzore për Inspektoratin? Qoftë dhe duke mos bërë emërime formale meqenëse është e pamundur ligjërisht


Marsida Xhaferllari: Mendoj që nuk e lejon kuadri ligjor në fuqi që të komandojmë edhe struktura shtesë.


Artan Broci:  Në fakt, zonja Kryeinspektore, kam përshtypjen që ligji ka përcaktuar dhe radhën e vlerësimit pavarësisht numrit të madh.


Pra Kushtetuta dhe ligji përcaktojnë që rivlerësimi fillon nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë.


A keni mundësi ti përballoni me këto burime njerëzore rivlerësimin e këtyre dy gjykatave fillimisht? Dhe cila do të jetë metodika? Sepse siç e dimë, si Gjykata Kushtetuese por edhe Gjykata e Lartë nuk qenë pjesë e sistemit të brendshëm gjyqësor dhe nuk janë përfshirë në sistemin e vlerësimit që kemi pasur për dy nivelet e tjera të gjyqësorit. Dhe në qoftë se do mbajmë një standard për nivelin e apeleve dhe të shkallës së parë, cili do të jetë standardi që do mbash për Gjykatën e Lartë dhe për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët i ke të parët në listë?


Marsida Xhaferllari: Kur unë fola për 466 e dhashë këtë të dhënë me afatin e përgjithshëm që duhet përfunduar puna nga Inspektorati ku ligji i Për rivlerësimin parashikon afatin 90 ditor.


Pa dyshim që është ashtu siç thotë dhe zoti Broci, që procesi është i parashikuar të bëhet sipas një radhe prioritare. Radhën prioritare duhet ta caktojnë organet e rivlerësimit, pra Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit.


Për sa i takon standardeve të punës për vlerësimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, por jo vetëm të tyre por edhe të disa subjekteve të tjera siç janë ndihmësit ligjor, këshilltarët ligjorë të cilët nuk kanë pasur ndonjëherë vlerësim nuk iu është bërë ndonjëherë vlerësim.


Ky proces bëhet për herë të parë. Po të shikoni informacionin që ju është dërguar kjo është një nga çështjet që ne e kemi identifikuar si problem sepse ligji nuk ofron rregulla dhe në projekt udhëzimin që është bërë me porosi të Kryetarit të Këshillit, ne propozojmë një zgjidhje që të zbatohen ato standarde që janë për gjyqtarët e shkallës së parë dhe të apelit. Në qoftë se ky propozim i yni nuk do të çmohet i arsyeshëm nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, do të operojmë me hartimin e standardeve të reja të punës. Por duhet të mbajmë në konsideratë një gjë. Duke qenë se është një territor i pashkelur, ne nuk kemi studime të mirëfillta të efiçencës dhe të produktivitetit të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese që do të thotë, n.q.s. ne do të vendosim standarde pune të reja duke i thënë se një gjyqtar i Gjykatës së Lartë duhet të gjykojë 200 çështje gjyqësore në vit, kjo do të jetë një zgjidhje empirike duke u bazuar në një studim të mirëfilltë të situatës.


Kështu që, kjo është një nga çështjet e nxehta që duhet diskutuar dhe ky është dhe shkaku që ne kemi kërkuar dhe asistencën e misionit Euralius.


Do tia prezantojmë këtë çëstje edhe stafit të ONM-së. Pa dyshim që do të jenë dhe organet e rivlerësimit ato që do të japin drejtim dhe udhëzim të kësaj çështjeje.


Etilda Gjonaj: E kuptojmë që në rast se procesi i vetingut nuk fillon, nuk arrijmë dot as të ngrihen institucionet e reja… rezulton që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka kompetenca të kufizuara për shkak dhe të atyre dispozitave tranzitore që ligjet parashikojnë dhe parashikojnë rregullat dhe kompetencat e KLD-së sot, dhe kjo na bën që ne të kemi edhe vakanca në Inspektorat, por ndoshta edhe në gjykatat e tjera.


Ajo që unë kisha, le të themi që e kam disi të paqartë në gjithë këtë proces, në gjithë këtë veprimtari që ka kryer Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është që, nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit dhe mbas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që në fakt rezulton që të jetë më 18.01.2017, deri më sot, cilat janë veprimet që ka kryer në kuadër të të gjitha detyrave që i lë ligji për sa i përket këtij procesi paraprak të fillimit të procesit të vetingut dhe të mbajmë në konsideratë që më 19 qershor 2017 Kuvendi ka zgjedhur anëtarët e Komisionit, të dy Komisioneve. Të mbajmë në konsideratë që 19 korrik 2017 janë zgjedhur kryetarët dhe të mbajmë në konsideratë që rregulloja e këtyre komisioneve është miratuar në 20 korrik të 2017-ës. Unë doja të dija nga Kryeinspektorja se cilat janë veprimet që ka kryer tani lidhur me këtë proces paraprak dhe detyrat që i parashikon ligji?


 Marsida Xhaferllari: Për hartimin e udhëzimeve të detajuara është e vërtetë që ligji është miratuar në tetor të vitit 2016, që Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar për një farë kohe. 

Por ne nuk duhet të harrojmë që me vendimin nr. 2 të Gjykatës Kushtetuese është urdhëruar që organet ndihmëse, duke përfshire Inspektoratin e KLD-së dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë nuk e ushtrojnë veprimtarinë e tyre ligjore në mënyrë të shkëputur nga veprimtaria e organeve të vlerësimit por nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e këtyre të fundit.


Duke zbatuar këtu urdhrin e Gjykatës Kushtetuese, ne kemi pritur ngritjen e organeve të rivlerësimit. 


Menjëherë me ngritjen e organeve të rivlerësimit konstatuam që nuk kishim si ti adresoheshim organeve te rivlerësimit. Kam zhvilluar unë personalisht në zyrën time takim me përfaqësues të ONM-së dhe bazuar në nxitjen dhe porosinë e tyre kam hartuar shkresën zyrtare numër 2376/1 protokolli, datë 27.07.2017 ku i bëhen prezent kryetares së pavarur të komisionit të kualifikimit, zonjës Tafa dhe për dijeni operacionit kombëtar të monitorimit, e gjithë problematika që ka nevojë për rregulla të detajuara.


Me nxitjen e tyre, këtë shkresë e kemi dërguar tek Pallati i Kongreseve tek zyrat që i janë lënë në përdorim organeve të rivlerësimit, ka shkuar ftuesi i KLD-së dhe ka marrë përgjigje se nuk e marrim shkresën sepse nuk kemi zyrë protokolli, nuk kemi regjistra protokolli, nuk kemi staf administrativ.


Megjithatë ftuesi është përcjellë tek zyrat e delegacionit evropian dhe e ka përcjellë këtë shkresë dorazi për anëtarët e ONM-së dhe gjithashtu i është përcjellë edhe në mënyrë elektronike.


Menjëherë i është relatuar situata Presidentit të Republikës i cili ka dhënë porosinë që megjithëse udhëzimet e detajuara duhet të hartohen nga organet e rivlerësimit, për të shfaqur gatishmërinë e plotë në përmbushje të detyrimeve në kuadër të këtij procesi, të merret nisma nga vetë Inspektorati, për hartimin e rregullave të detajuara. Dhe sot qëflasim, kemi një draft të parë të këtij udhëzimi, i cili ditën e djeshme i është përcjelle misionit Euralius dhe sot mbas diskutimit tuaj, duke e pasqyruar informacionin edhe me diskutimet që u bënë sot në mbledhje dhe ta përcjellim pranë organeve të rivlerësimit dhe stafit të ONM-së.


Etilda Gjonaj: Nuk arrij të kuptoj që çfarë e pengonte Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë ti bënte këto veprime më përpara se të jepte sugjerimin Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti, për të normuar dhe për të nxjerrë këtë udhëzim lidhur me mënyrës se si duhet të kryhet ky proces paraprak.


Nuk shikoj asnjë veprimtari apo proces të ndërmjetëm që nga 8 janari 2017 deri në këto ditët e fundit, ku vetë Inspektorati të ketë ndërmarrë disa veprime për ta kryer këtë proces paraprak.


Duhet të sjellë në vëmendje që burimet njerëzore janë jashtëzakonisht të pakta dhe numri nga 16 ka shkuar në numrin 10 dhe po ti referohesh edhe ligjit duhet që brenda një afati 90-ditor, që është një afat jashtëzakonisht i shkurtër, ne kemi të detyruar të respektojmë ligjin.


Aspekti i dytë është që përveç ligjit Për statusin… i cili përcakton dhe mënyrën e hedhjes edhe shortin, ka edhe një element tjetër me të cilin është përmbyllja e një vlerësimi profesional për vitet 2010-2012 të cilin e ka parashikuar ligji në dispozitat e tij kalimtare. 


Jo për kundërpeshë apo për të… ose për të krijuar një lloj sensi negativ por vendimi nr. 2 i Gjykatës Kushtetuese e ka dhënë në mënyrë taksative. Në rast se do lexojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese më tamam, nuk mundet në mënyrë absolute asnjë institucion të fillojë procesin e vlerësimit pa filluar Komisioni i Pavarur i Vlerësimit dhe Komisioni i Apelimit dhe ky vendim e ka në mënyrë taksative. Në rast se disa institucione bëjnë një punë parapërgatitore kjo është në interesin e sistemit të vlerësimit.


Por KLD-ja dhe Inspektorati, nuk mundet në mënyrë absolute, duke qenë se secili prej nesh jemi jurist dhe 80% jemi gjyqtarë e kuptojmë në mënyrë motamo zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe kjo ka qenë arsyeja. Por për ti dhënë një shkas procesit dhe një lloj shpejtësie akoma më të madhe, unë mendoj që të ngrihet një grup pune me përbërje të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Kryeinspektores që të bëjë koordinimin midis Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisionit të Apelimit, në mënyrë që edhe ky draftim edhe ky udhëzim i cili do të shërbejë për metodologjinë edhe për mbledhjen e informacionit, të jetë i unifikuar, në mënyrë që të veprojmë në mënyrë të koordinuar midis dy institucioneve deri në përmbushjen e detyrimit ligjor kushtetues.


Ilir Meta: Unë vetëm kam një lutje, të mos harxhojmë energji shumë se çfarë është bërë deri tani sepse kemi kaq shumë detyrime për të përmbushur dhe na duhen gjithë këto resurse që kemi ti vejmë 100% në punë madje edhe më shumë se kaq dhe të koordinojmë edhe më mirë me këto institucionet e reja që janë krijuar por edhe ato kanë patur vështirësitë e tyre për të funksionuar, por edhe me Euralius-in, por edhe me Opdat-in e cila ka çështje për tu saktësuar


Etilda Gjonaj: Zoti Kryetar i Këshillit. Në fakt nuk është e vërtetë ajo që thoni ju që nuk ia vlen që të diskutojmë se çfarë ka ndodhur më përpara por duhet të vendosim se çfarë do të ndodhi më këtej. Por realisht është shqetësues fakti kur vetë Presidenti në  cilësinë e Kryetarit të Këshillit vë në lëvizje Inspektoratin për të normuar këto rregulla me qëllim që procesi i vetingut dhe ky proces paraprak të zhvillohet sa me shpejt.


Nuk e kuptoj çfarë e ka penguar Inspektoratin të kryejë këto veprime që ka kryer këto ditët e para të shtatorit për ti kryer më përpara që në momentin e ngritjes së komisioneve?


! Pra dua të  sjell në vëmendje që përgjegjshmëria e institucioneve si Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Inspektoratit pranë Këshillit, të jetë maksimale, me qëllim që çdo minutë që kemi në dispozicion të shfrytëzohet maksimalisht. Aq më tepër që sot, me këtë informacion që na ka ardhur nga materiali për pikën e parë të rendit të ditës, mundet mjaft mirë të na vihej në dispozicion ky projekt udhëzim që është përgatitur dhe jo të viheshin disa propozime me masa të përgjithshme ku të përcaktoheshin ku mund të bëheshin takime informuese apo trajnime, apo taime me kryetarët e gjykatave, në një kohë që Inspektoratin nuk e ka penguar asnjë lloj parashikimi ligjor që këto takime apo trajnime apo informacione të tjera që duhet të merrte ti kishte kryer më përpara. Prandaj do tu lutesha, edhe sot në këtë material që na është vënë në dispozicion, gjërat të ishin më konkrete.


Vendosëm një projekt udhëzim i cili qenka draftuar këto ditë për ta parë dhe për të vendosur se si do të normohet procesi paraprak lidhur me verifikimin e subjekteve të rivlerësimit. Për më tepër, në material thuhet se është përgatitur një regjistër manual. Çfarë e pengon Inspektoratin për ta bërë atë një regjistër elektronik? Burimet njerëzore kanë qenë këto që kanë qenë edhe më përpara.


Që nga marsi deri më sot ky regjistër mund të kthehej në regjistër elektronik për ta bërë sa më të dobishëm për të gjithë procesin. Ky është shqetësimi im.


Gerd Hoxha: Në mënyrë taksative është detyrë vetëm e organeve të rivlerësimit KPK-së dhe Kolegjit të Apelimit. Ne thjesht mund të ofrojmë asistencën tonë dhe jemi gati ta ofrojmë në çdo moment, por nuk ka asnjë fuqi ligjore.


 Eneida Civici: Jam shumë dakord që është përgatitur nga ana e Inspektoratit një projektligj. Ashtu si  ka nisur duke i dërguar e-mail apo shkresa zyrtare komisioneve të rivlerësimit, mund ta dërgojnë edhe këtë projektligj që kanë përgatitur, gjithmonë për tu ardhur në ndihmë atyre. Por neve nuk kemi asnjë kompetencë që ta miratojmë atë apo ti japim fuqi ligjore. Është thjesht një asistencë. Siç është kryer, le të vazhdojë ti ofrohet.


Pritet apo jo nga ata organe  në kuadër të faktit që nuk kanë filluar të funksionojnë sipas relatimit që ka bërë inspektorja që ka dërguar shkresën dhe nuk është pritur shkresa sepse nuk kanë staf – dhe e mirëkuptojë këtë pjesë – ndoshta kur të krijohen taman do ta presin, por ne nuk mund të marrim asnjë vendim me këtë fakt.


Inspektorati pa i marrë mendim organeve të rivlerësimit nuk mund të vendosi vetë. …


Etilda Gjonaj: Edhe në relacionin shoqërues të përgatitur nga Inspektorati është shprehur shqetësimi për afatin 90-ditor. Tashti, afati 90-ditor ka kaluar, pa diskutim, por në çështjet që diskutoheshin ishte se kur fillonte ky afat dhe nëse ky afat ishte i ngushtë apo jo. Ne duhet të kuptojmë që afati 90-ditor duhet të konceptohet, meqenëse kanë kaluar të gjitha afatet ligjore, duhet të paktën të filloj në momentin kur janë ngritur këto institucione dhe ne jemi shumë vonë. Pra kemi 19 qershorin dhe kemi 19 shtatorin.


Gerd Hoxha: Grupi i punës i KLD-së… Ju lutem Zoti President. Një anëtar i

Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Kryeinspektori kanë përgatitur një material që është

shqyrtuar në Këshill për problematikat që ka ligji Për rivlerësimin… dhe ligjet e tjera që

gjejnë pasqyrim të gjitha shqetësimet tuaja. Do tu lutesha… se është miratuar me ligj…

është një projekt shumë i mirë… mund të vihet në dispozicion dhe ta shikoni dhe besoj se

do gjejmë një zgjidhje.


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter