Janë ankuar prej vitesh në anketa dhe studime për gjyqësorin dhe prokurorinë për korrupsion të lartë, por askush deri më tani nuk ka denoncuar me fakte kundër tyre.


Zyra e Shtypit e Komisionit të Pavarur të Kualfikimit njofton se deri më tani janë dorëzuar 364 ankesa të personave që kanë humbur proceset gjyqësore, por në asnjërën prej tyre nuk jepen të dhëna se u janë kërkuar para në shkëmbim të një vendimi.


Të gjitha ankesat kërkojnë rishikim të vendimeve gjyqësore dhe për këtë arsye vjen edhe ky reagim nga Komisioni i Pavarur i Kualfikimit.


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke marrë shkas nga numri i lartë i ankesave të qytetarëve, dëshiron të informojë edhe një herë publikun se misioni i KPK-së nuk është të rishikojë vendimet e gjykatave, por të mbledhë të dhëna, prova dhe fakte konkrete lidhur me veprime korruptive apo shkelje ligjore të subjekteve të rivlerësimit, thuhet në të.


Por, ndërsa ligji i vettingut flet në nenin 53, edhe për pjesëmarrjen e publikut në denoncimin e fakteve , qytetarët deri më tani i kanë kthyer përmbys parashikimet e ligjbërësit.


Siç thonë burimet, për shkak se nuk janë gjetur të dhëna me interes në dosjet e dorëzuara nga qytetarët, Komisioni i Pavarur i Kualfikimit i ka kërkuar informacion prokurorisë.


A ka qytetarë që kanë kërkuar të bashkëpunojnë me hetuesit për vettingun? pyet KPK. Siç thonë burime të besuara të Top Channel, përgjigjja e organit të akuzës ka qenë jo. Po përse e kërkojnë këtë informacion komisionerët e vettingut?


Neni 54 i ligjit të vettingut flet për bashkëpuntorët e drejtësisë. Sipas kësaj dispozite, qytetari që ka paguar tek një gjyqtar, apo prokuror mund ti drejtohet prokurorisë për të dhënë informacion për çështjen korruptive. Ai menjëherë merr statusin e personit që mbrohet nga shteti dhe jep dëshmi me shkrim për rrethanat dhe provat që më pas u kalojnë organeve të vettingut.


Në çdo rast qytetari mund ta shprehë vullnetin si bashkëpunëtor drejtësie edhe pranë organeve të vettingut, ndërkohë që ai nuk merret nën hetim dhe sipas ligjit i kthehet mbrapsht shuma që ka paguar për rryshfet.


Duke kërkuar kontributin e publikut KPK shprehet: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit inkurajon qytetarët që çdo informacion të vlefshëm që mund të kenë (fotografi, dokumente e të dhëna të tjera), ta ndajnë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe të kontribuojnë në këtë proces jetik për vendin.


9 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)