Komisioni i Ligjeve ka miratuar sot organikën e institucioneve të Vetingut: 110 punonjës në total nga 187 që ishin propozuar për këto struktura.


Deputeti i PD, Eduard Halimi, ka reaguar për këtë vendim të marrë pa konsensus. Ndërkohë, deputeti socialist, Saiamir Tahiri, anëtar i komisionit, nuk votoi për shkurtimet në 2 nga 3 komisionet.


Vetëm komisioni i posaçëm i kualifikimit ra dakord me shkurtimin drastik, duke rezervuar të drejtën për të kërkuar ndryshime kur të hartohet buxheti i vitit të ardhshëm.


Dy organet e tjera, Kolegji i Apelimit dhe komisionerët publikë e kundërshtuan propozimin e socialistëve që e ul me gati 80 punonjës dhe më shumë se me një të tretën pagat e propozuara prej tyre.


Opozita, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, kishin të njëjtin qëndrim, për tu dhënë organeve të vettingut gjithçka që kërkojnë.


Duke iu referuar përgjigjes nga Komisioni Europian, demokratët propozuan edhe shtimin e njerëzve dhe fondeve, duke deklaruar se shkurtimi i stafit dhe i pagave cënon efikasitetin e tyre dhe kompromenton proesin.


Por socialistët vendosën gjithçka me votë, duke i propozuar Kuvendit reduktimin e strukurës dhe nivelit të pagave për vettingun.


I vetmi prej tyre që nuk ishte dakord me vendimin e marrë ishte Saimir Tahiri, i cili nuk ndryshoi qëndrim për mbështetjen e plotë financiare të organeve të vettingut.


25 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)