Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në fjalën e tij në Kuvend ka komentuar propozimin e Partisë Demokratike për një Vetting në politikë.


Xhafaj tha se ky propozim është një ide qesharake e PD dhe se nuk ka asnjë vend në botë që politika të bëjë Vetting për vetë politikanët.


Partia Demokratike nxjerr kokën dhe hedh baltë. Këta persona shpifin se familjarët  e mi janë të lidhur me lojërat e fatit, deklaroj me përgjegjësi ligjore dhe politike. Kjo është paaftësi për një opozitë për të luajtur rolin e një opozite dinamike. Të angazhohen seriozisht kompetencat, të hetohen mbi këto deklarime.


Çdo kush mund të shpif si të dojë e për kë të dojë, e të shantazhojë ministrin apo kryeministrin  e vendit. Kjo duhet të marrë fund. Vettingu në politikë është ide qesharake e Partisë Demokratike. Drejtësia dhe pastrimi i saj të bëhet nga themelimi i institucioneve ligjore. Nuk ka vend në botë që politika të pastrojë politikën dhe të bëjë Vetting. Për përfshirjen e familjarëve të mi në biznesin e lojërave të fatit, ky është një mashtrim. Prokuroria të angazhohet për hetimin e deklarimeve të PD, deklaroi Xhafaj.


20 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)