Një tjetër emër i njohur i sistemit të drejtësisë si anëtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, ka ngecur sot në sitën e vettingut.


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të shkarkojë nga detyra Thanzën, i cili cilësohet edhe si gjyqtari skifter, për shkak të vjedhjes së kryer në Itali në vitin 1999.


Në seancën dëgjimore për të KPK argumentoi se ka fshehje të pasurisë, mungesë deklarimi dhe të ardhurash të ligjshme dhe kontakte me personazhe të krimit. Relatori, Lulzim Hamitaj, tha se për pasurinë KPK ka administruar raportin e ILDKP, ku konstaton se gjyqtari  ka bërë deklarim të rremë.


Ka fshehje pasurie dhe nuk ka burime te ligjshme tha Hamitaj në seancën e parë për Thanzën.


Nisur nga kjo, relatori deklaroi se KPK bëri një hetim te thelluar sipas të cilit gjyqtari Thanza disponon këtë pasuri:


Pasuritë e Thanzës, një apartament banimi 136 metra katrorë në Shkodër i blerë 1 milion e 200 mijë leke, e paguar e plotë. E deklaruar në 2003 me vlerë 3 milion lekë. Si burim të ardhurash janë deklaruar nga shitja e dy apartamenteve të tjerë në Shkodër, pohoi Hamitaj. Apartament banimi 113 metra katrorë në Tiranë, tek rruga Komuna e Parisit. E deklaruar nga bashkëshortja si pasuri e saj  në vlerën e 4 milionë lekëve. Apartament dupleks ne Gjirin e Lalëzit, Durrës, i blerë në 2012 me sipërfaqe 95 metra katrorë. Në Vetting është deklaruar 38 metra katrorë. Mbetet i paqartë shkaku i kësaj kontrate.


Thanza ka qenë pjesë e sistemit të drejtësisë që në vitin 1992, kur përfundoi studimet me titullin jurist në Universitetin e Tiranës. Po në këtë vit Thanza filloi punën si gjyqtar pranë Gjykatës së shkallës së parë të Shkodrës, ku shërbeu deri në vitin 2006. Nga ky vit e deri në vitin 2009, Thanza ishte gjyqtar në gjykatën e shkallës së parë të Tiranës. Më pas karriera e Thanzës u ngrit menjëherë, pasi në vitin 2009 u emërua gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, ku shërbeu deri në vitin 2013.


Më tej karriera e Thanzës si gjyqtar do të vazhdonte si anëtar në Gjykatën e Lartë, ku shërbente deri sot, kur ngeli në klasë nga Vettingu.


Karriera e Thanzës duket se është shembur prej dënimit me 40 ditë burg dhe gjobës për vjedhje në Itali, vendim për të cilin instiucionet shqiptare mund të mos kenë pasur dijeni, por që nuk e kanë bërë publike edhe kur Thanza ngjiti shkallët më të larta në sistemin e drejtësisë.


Mes qindra dosjeve që Thanza ka gjykuar gjatë karrierës së tij 26-vjeçare në sitemin e drejtësisë, janë procesi gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit në Gjykatën e Lartë, ku familjarët e vitimave të 15 marsit 2008, opinioni publik dhe politika kanë akuzuar disa herë që ende nuk është dhënë drejtësi. Po ashtu ai ka dhënë vendime në gjykimin e disa deputetëve në Gjykatën e Lartë, si Tom Doshi, Mark Frroku apo Gent Strazimiri.


17 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)