Një natë pa gjumë me dhimbje stomaku të çon të nesërmen në spitalin ushtarak. Dhimbja të ndez përqendrimin e mendjes në një pikë të vetme të trupit. Sapo futesh në shtratin e urgjencës edhe kur nuk është urgjence, po kështu është rregulli i pashkruar, po aty vëzhgon këtë mikrokozmos ku buzëqeshet shumë pak. Jo se është spitali i ushtarakëve dhe buzëqeshja është e ndaluar nga kodi i nderit, por aty brenda nuk të vjen të qeshësh për vetë faktin se s’ka asgjë për të qeshur. Normale është e qara. Të vetmit ushtarakë që identifikohen me kamuflazhin lara-lara është një ushtar pa kapele, i cili qëndron tek dera dhe ia hap derën vetëm atyre makinave me urgjencë brenda. Pastaj tek hyrja e urgjencës ka policë që sillen si gardianë burgu. Aty mëson se spitali është burgu i sëmundjes tënde, është institucioni që të kufizon dhe të liron, si pacient, si i burgosur, nga liria e përditshme e qarkullimit njerëzor. Sëmundja në vetvete i ngjan një magjie. Ku ndoshta vetëm një shaman, një Merlin që nuk e ka mjekrën e bardhë por vetëm përparësen, mund të ta largojë atë. Edhe vetë i gjithë njerëzimi e shikon sëmundjen si mish i huaj brenda vetes, mikrob teknikisht në biologjikë, dhe kujton se nuk është pjesë përbërëse e tij, mundohet ta trullosi me kimikate të ndryshme e shumëngjyrëshe që me një eufemizëm njerëzimi i quan ilaçe. 


Diagnozë: Simptoma e zbehjes, regjim shtrati, diagnostikimi, burgosja preventive dhe terapia asgjësuese janë të pakta procese që vërtetohen e përsëriten çdo ditë në spitalin ushtarak. Alarmi është normaliteti i përditshëm. Aty është “shtëpia” ku kërkohet ndihmë për somën, trupin e lëkundur nga natyra ose nga një pjesë e natyrës që është njeriu, i cili nganjëherë e harron. Aty gjen pa dallim feje, krahine e ideje çdo shqiptar të sëmurë. Nga se mbaj mend ishte Vittgenstein që thoshte se, nëse do të duheshim të flasim për eksperiencat konkrete, të gjërave të jetuara e jo vetëm ato që i ke dëgjuar se kanë ndodhur, mund të flasim vetëm për sëmundjet tona. Sipas këtij mendimi nuk kishte më biografi por patografi. Një jetëshkrim i sëmundjeve, i të gjitha sëmundjeve, edhe atyre më banale, si për shembull, unë shëndetligu kisha vetëm një virozë, siç me thanë po ju them. Ju them se pashë edhe njerëz civilë që kishin nevojë për një servis të gjithanshëm.


Burgimi: Dikush afër meje në shtratit për karshi kishte ethe, rrahje të dendura të pulsit dhe  si zakonisht shoqërohej me rrëqethje e të dridhur, me një kollë të lehtë, i vinte për të vjellë, pak temperaturë dhe migrenë. Doktori specialist, pa maskë mbrojtëse, i mori një tampon si kampion për të parë nëse kishte gripin e derrit AH1N1, aq shumë i dëgjuar kohët e fundit, për t’i dërguar më pas në një spital në Rumani, sepse spitalet shqiptare nuk kanë aparaturat adekuate të analizave. Doktori sikur i qetëson të gjithë me një batutë spontane: “mos u shqetësoni, nuk kemi gjë, nuk e gjen gjë shqiptarin”. Një trim modern që sfidon gripin AH1N1. Si duket do të marrë një medalje post mortem. Ndërkohë, nëse ky kishte gripin e derrit pandemia do të prekte të gjithë spitalin ushtarak. Në atë sallë kishte shumë të tjerë, një pjesë e madhe ishin bërë copash nga aksidentet e makinave. Dikush në reanimacion, panafakët në morg, të shpëtuarit në urgjencë. Gjaku i shoferëve sikur ishte pa lek shihej kudo në mobiliet e spitalit: në barela, në përparëse mjekësh, në bisturi kirurgësh etj.


Terapia: Rruga e shërimit kalon nga mjekimi si në sipërfaqe ashtu dhe në thellësi. Dhimbja s’duron për gjithmonë në mish, ajo hollohet, ndryshon formë e kalon nëpërmjet kapilarëve të gjakut diku në brendësi. Mjekimi i sëmundjeve të brendshme bëhet vetëm me barna ose në të kundërt me operacion kirurgjikal. Ndërhyrja në brendësi apo hapja e lëkurës që mbështjell shpirtin e një njeriu ka pasoja të rënda psikologjike. Trauma është e pandarë ndërhyrja. Me kurim të psikes të lëkundur nga emotiviteti, i cili ri-zgjon brenda nesh ankthin dhe frikën që besonin se e kishim varrosur diku në një anë të fshehtë. Sëmundja del nga errësira dhe shkrin rremtësinë e një trupi kompakt, të një identiteti të vetëm, madje na ndryshon humorin sepse na bën të dëgjojmë diçka që besonim që ishte e shkrirë në ne, me pak fjalë ishim ne, tani është një tjetër, një pjesë e  trupit është rebeluar, një armik që brenda nesh kthehet e përdridhet kundra nesh, një qelizë separatiste që del kundra sistemit imunitar. Një sëmundje që përveç se na lëshon dhembjen, na dyzon. Është kurajoze që një kockë, që pak çaste me përpara nuk e kishim idenë se ekzistonte, papritmas, duke na sjellë dhimbje, na bëhet e panjohur, sikur të ishte dhënë nga një i huaj.

...