TIRANË-Koalicioni i vëzhguesve vendorë nxit palët politike në vend për përmbulljen e reformës zgjedhore dhe asaj administrative brenda mesit të qershorit të 2014-ës. Përmes një deklarate koalcioni i vëzhguesve shprehet se në bazë të Kodit Zgjedhor, duke qenë se mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron më datën 15 shtator 2015, data e mundshme e Zgjedhjeve të ardhshme Lokale është data 21 ose 28 Qershor 2015. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ndërsa vlerëson gatishmërinë e forcave kryesore politike të mazhorancës dhe opozitës për të ndërmarrë këto dy reforma, nxit këto forca ta çojnë përpara këtë vullnet duke u ngritur mbi interesat e ngushta partiake dhe duke e bërë këtë proces konsensual, sa më gjithëpërfshirës dhe sa më transparent. 

“Një reformë administrative e plotë dhe e qëndrueshme kërkon domosdoshmërisht bashkëpunimin e të gjithë aktorëve politikë, grupeve të interesit dhe të vetë qytetarëve.” thuhet ne deklarate e vëzhguesve vendorë, dhe se vonesa në nisjen e këtij procesi është e pajustifikueshme madje kjo vonesë afekton drejtëpërsëdrejti reformën që duhet ndërmarrë për zgjedhjet e ardhshme vendore. Koalicioni i vëzhguesve vendorë iu bën thirrje krerëve të partive kryesore të mazhorancës dhe opozitës që të ulen së bashku dhe të gjejnë vullnetin e duhur për të ndërmarrë sa më parë këto reforma .Gjithashtu, ky koalicion nxit forcat politike që të nisin paralelisht edhe reformën zgjedhore përpara përfundimit të asaj administrative, si një mënyrë për t’i bërë këto procese më rezultative dhe sa më pak politike.

(a.n/BalkanWeb)