7 ikona të skalitura të kishës së Shën Gjergjit janë grabitur mëngjesin e sotëm në fshatin Jorgucat në Gjirokastrër. Sipas policisë, autorët kanë hyrë përmes portës kryesore të kishës, duke e shqyer me mjete të forta. 

GJIROKASTER- Persona të paindetifikuar kanë vjedhur në orët e para të ditës së sotme, shtatë ikona të skalitura të kishës së Shën Gjergjit, në fshatin Jorgucat, 25 kilometra në jug qytetit të Gjirokastrës.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë pohuar se mungesa e shtatë ikonave të skalituara, dy prej të cilave i përkisnin shek XVIII dhe pesë ikona të shekullit XX është konstatuar në orët e para të mëngjesit nga kujdestari i kishës. Pas marrjes se informacionit në vendngjarje kanë shkuar ekspertët e kriminalistikës, të cilët kanë grumbulluar prova materiale për të zbuluar autorët që kanë kryer këtë akt të shëmtuar.
Sipas policisë, autorët kanë hyrë përmes portës kryesore të kishës, duke e shqyer me mjete të forta. Ndërkohë, përgjegjësi i kishës së Shën Gjergjit, Kosta Franko është shprehur se shtatë ikonat e grabitura ishin transferuar në këtë kishë pas vitit 1990 nga manastiri i Ilijas që ndodhet në pjesën sipërme të fshatit Jorgucatit dhe kjo u bë për arsye sigurie. Kisha e Shën Gjergjit është ndërtuar në vitin 1932. Ky është rasti i parë gjatë këtij viti, që ikonat bien pre e grabitësve në Qarkun e Gjirokastrës.
(e.n/News24/BalkanWeb)