Korea e Veriut po planifikon të tjera testime dhe hedhje raketash në Paqësor, duke vijuar kështu kërcënimet ndaj rajonit. Raketa e hedhur mbi Japoni, është sipas regjimit koreano-verior, hapi i parë i këtyre operacioneve. Këto kërcënime vijnë në kundërpërgjigje të stërvitjes së përbashkët ushtarake të forcave amerikane dhe koreano-jugore.


Korea e Veriut ka deklaruar se raketa e hedhur një ditë më parë në Japoni, ishte “hapi i parë” i operacioneve ushtarake në Paqësor, duke sinjalizuar kështu planet për të tjera teste e hedhje.


Media shtetërore gjithashtu përsëriti kërcënimet ndaj territorit amerikan të Guamit në Paqësor, të cilin e quajti “një bazë të avancuar të pushtimit”. Raketa e hedhur të martën kaloi mbi ishullin verior japonez të Hokkaido-s, duke nxitur paralajmërime sigurie për banorët.


Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka dënuar unanimisht Korenë e Veriut për veprimet e saj, por nuk diskutoi sanksione të reja ndaj Penianit. Rusia dhe Kina fajësuan veprimtarinë e ushtrisë amerikane në rajon për tensionimin e situatës, duke nxitur negociata mes palëve.


Në muajt e fundit, Korea e Veriut ka kryer një sërë testesh balistike, pavarësisht sanksioneve nga Kombet e Bashkuara. Më e fundit, raketa Hwasong-12 e prodhuar në vend, u testua në orët e para të mëngjesit të së martës, nga një vendndodhje pranë Penianit.


Sipas mediat shtetëore KCNA, hedhja e raketës mbi Japoninë ishte një kundërpërgjigje direkte ndaj stërvitjes së përbashkët ushtarake mes trupave amerikane dhe koreano-jugore. Lideri koreano-verior Kim Jong-un ka urdhëruar më shumë stërvitje me raketa të cilat do të shënjestrohen në rajon.


/Oranews.tv/


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter