Një grusht punëtorësh po merren me punë të vogla në pjesën ku nuk bllokuan punimet në projektin Veliera, përpara portit detar në Durrës.


Këmbët gjigande të betonit nuk kanë dale ende në sipërfaqje, ndërkohë që bazamenti i tyre tashmë është hedhur.


Ritmi i punimeve pritet të shtohet pas tenderit të ri që ka hapur bashkia e Durrësit për një pjesë tjetër të projektit. Më konkretisht, fazën e tretë e cila parashikon risistemin e trotuareve, vendosjen e gjelbërimit, ndriçimit etj. Sipas dokumentit të publikuar në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik janë mbi 65 milion lekë që janë vënë në dispozicion nga kjo bashki, për punimet e reja.


Këto janë bazamentet e dy këmbëve të Velierës që ndodhen në zonën arkeologjike të kategorisë A, puna është ndërprerë në këtë pjesë që kur nisën proceset gjyqesore dhe hetimet e prokurosisë.


Gjykata ka konfirmuar më 13 shkurt pezullimin e punimeve në zonen ku u zbuluan rrënojat arkeologjike, megjithatë bashkia nuk ka pritur zbardhjen e vendimit për të hapur tenderin e ri.


Beteja ligjore ka qenë e gjatë dhe shoqëria civile ka luftuar fort. Vendimi i gjykatës la të pakënaqur dhe shoqërinë civile e cila kërkoi pezullimin dhe ndërprerjen e krejt projketit. Lorisa Ylli, aktiviste e shoqërisë civile për çështjen Veliera thotë se bashkia nuk po ndalet në realizimin e projektit.


Morrëm informacion se në këshillin bashkiak tashmë ka kaluar dhe një fond i dytë për ccështjen Veliera, ndërkohë që ne prisnim anulimin total të projektit, thotë Lorisa Ylli.


Frika është që përmes hapësirave procedurale, apo vendimeve që mund të merren, qeveria dhe bashkia e Durrësit të zbatojnë deri në fund ndërtimin e Velierës, duke gjetur zgjidhje si kjo këtu, ku muri antik pjese e Torres Veneciane që u zbulua gjatë ndërtimit të një pallati rreth 15 vite më parë, përfundoi i humbur brenda vetë pallatit gjigand.


10 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)