Violinisti i njohur shqiptar, Jonian Ilias Kadesha do të performojë sot në mbrëmje në Tiranë, për publikun kryeqytetas. Në sallën koncertale të Katedrales Orthodokse, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të hapë sezonin e ri artistik, me pjesëmarrjes speciale të violinisti me origjinë shqiptare, i cili shoqërohet edhe nga dy miqtë e tij artistë, dirigjentin Jonathan Bloxham dhe violinçelisten Vashti Hunter.


Para koncertit, violinisti Kadesha u prit në takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Dua të të jap një dhuratë të vogël si çun Tirone që je, edhe pse ke lindur jashtë, po genin dhe gjakun e ke tirons: Kjo është Kulla e Sahatit të Tiranës. Pavarësisht vendit ku do të jesh duke performuar, ky sahati ynë i vogël tregon gjithmonë orën e Tiranës. Prandaj, sa herë që të kthehesh te tavolina ose bufeja ku do e vendosësh, do kujtohesh sa është ora në Tiranë dhe se sa i mirëpritur je këtu. E jap këtë Kullë në emër të qytetit, si shenjë mirënjohje, admirimi e respekti për ty, tha Veliaj.


Kryebashkiaku vlerësoi se Jonian Kadesha përfaqëson ata djem dhe vajza që ia kanë dalë mbanë falë talentit dhe punës së tyre, ndërsa i ftoi të gjithë qytetarët që ti bashkohen koncertit sot në orën 19.00.


Mezi presim kur dëgjojmë se çuna e goca të reja nga Shqipëria kanë ecur përpara, na bëjnë krenarë, janë të suksesshëm, jo vetëm për krenarinë që na jep ne, por edhe për faktin që u tregon djemve dhe vajzave këtu, se çdo gjë është e mundur. Kur arrin të bëhesh yll i botës së muzikës në moshën 20 e ca vjeçare vetëm falë punës, inkurajon çuna dhe goca të tjerë në të gjithë Shqipërinë. Presim që të gjithë të jeni te Katedralja Orthodokse, te Qendra e Kulturës, ku Joni dhe dy kolegët e tij kanë një koncert të shkëlqyer, unik në Shqipëri, deklaroi Veliaj.


Violinisti Jonian Ilias Kadeshi i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj për këtë vlerësim dhe u shpreh i entuziazmuar që do të ketë mundësi të luajë në hapjen e sezonit të Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, ku për shumë vite ka luajtur edhe babai i tij.


19 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)