Rrjetet - Kreu i ri i SHISH-it, Visho Lika, është një nga drejtuesit e vetëm në botë të shërbimit sekret, i cili ka një faqe aktive në rrjetin social Facebook
Teknologjia - Informatika dhe teknologjia duket se, përveçse profesion, janë dhe pasioni i Likës, i cili në kurrikulumin e jetës thekson faktin se është i pasionuar pas tyre
Paraardhësi - Ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, deklaroi se Lika ka qenë një student i mirë gjatë ndjekjes së studimeve të larta, por sipas tij, kjo smjafton.
Akuzat - Opozita shqiptare e ka akuzuar Visho Likën se është një militant i PD-së dhe një njeri që rrezikon ta përdorë këtë shërbim për interesa të pushtetit
Mbrojtja - Qeveria shqiptare ka dalë në mbrojtje të Likës, duke theksuar se ai është një profesionist dhe njeriu i duhur për të qenë në krye të këtij institucioni me rëndësi të veçantë
Kryeministria: Është shkarkuar. Por vendimi nuk është publikuar ende
Kreu i ri i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, duket se figuron në faqet zyrtare të internetit të institucioneve shqiptare me dy pozicione, atë që ka aktualisht dhe postin e zëvendësministrit të Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit. Aktualisht emri dhe kurrikulumi zyrtar i Visho Likës ekzistojnë në faqen e internetit të Ministrisë së Inovacionit dhe vendimi për shkarkimin e tij nga ky pozicion nuk është bërë publik. Në faqen e Këshillit të Ministrave, ku publikohen informacionet për shkarkimet apo emërimet e zëvendësministrave, emri i Visho Likës nuk ekziston një akt i tillë. Por pavarësisht kësaj, burime zyrtare nga Kryeministria bëjnë të ditur se Lika është shkarkuar nga Këshilli i Ministrave për ti hapur rrugë emërimit të tij në krye të organit të sekreteve.
Ministria
Në faqen zyrtare të Ministrisë së Inovacionit, Visho Ajazi Lika figuron ende si zëvendësministër. Në këtë faqe ka ngelur ende dhe jetëshkrimi i Likës, i cili është formatuar në anglisht dhe në një stil të ndryshëm nga ai që gjendet në faqen e Shërbimit Informativ Shtetëror. Duket se në figurimin e Likës në faqen e internetit të kësaj ministrie ka ndikuar neglizhenca dhe pushimet verore të zyrtarëve të këtij institucioni. Këtë muaj pritet që në vend të Likës të emërohet një tjetër zëvendësministër, por nuk dihet nëse ai do ti përkasë radhëve të demokratëve apo do të jetë një përfaqësues i partive aleate në koalicion me PD-në. Nga ana tjetër, pak ditë pas vendosjes së tij në krye të SHISH-it, Lika ka rifreskuar të gjithë faqen zyrtare në internet të këtij institucioni, duke e pasuruar atë me fotografitë e tij personale, kurrikulumin dhe zotimin se do ta kryejë detyrën e dhënë në respekt të ligjit dhe Kushtetutës.
Vendimi
Në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave nuk ekziston asnjë vendim i zbardhur, sipas të cilit Visho Ajazi Lika është shkarkuar nga pozicioni i zëvendësministrit të Inovacionit. Burime zyrtare pranë Kryeministrisë bëjnë të ditur se vendimi për shkarkimin e Likës është marrë në përputhje të plotë me ligjin dhe vendimi i Këshillit të Ministrave ekziston, pavarësisht se nuk është i publikuar në faqen e internetit. Sipas legjislacionit, emërimi dhe shkarkimi i zëvendësministrave bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe këto vendime nuk kalojnë në Parlament për miratim të mëtejshëm. Qeveria shqiptare shpesh është akuzuar nga opozita për numrin e lartë të zëvendësministrave të emëruar. Disa nga ministritë e vendit kanë tre zëvendësministra dhe një pjesë e mirë e tyre iu përket partive aleate, të cilat janë në koalicion me Partinë Demokratike. Pozicioni i zëvendësministrit në rastet e përgjithshme është dhënë nga PD, për ato parti të cilat kanë kontribuar në koalicion me vota gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2009-s, por nuk kanë marrë vota të mjaftueshme për të qenë të përfaqësuara me ministra në kabinet. Nga ana ligjore, asnjë zyrtar publik nuk mund të mbajë dy poste, qoftë edhe nga ana formale. Natyrisht ky është një aspekt formal, pasi realisht zoti Visho Ajazi nuk është zv.ministër. Por një shtet serioz që respekton ligjet dhe Kushtetutën duhet të respektojë edhe formën apo sensin juridik të hierarkisë së administratës së saj. Në këtë sens, një dikaster i qeverisë shqiptare, edhe pse virtualisht, ka zv.ministër drejtuesin më të lartë të shërbimit sekret.
Shëndetësia - Ministria e Shëndetësisë, tashmë është me një zëvendësministër më pak
Ministria e Brendshme - Edhe Ministria e Brendshme, në strukturën e saj, rezulton me një zv/ministër më pak.
Zëvendësimi - Këto pozicione pritet të plotësohen në vjeshtë nga ana e Këshillit të Ministrive
Aleatët - Plotësimi i tyre pritet të bëhet në përputhje me marrëveshjet e PD-së me aleatët
Klosi - Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, në një prononcim për Shqip është shprehur se gjatë kohës që ai kishte marrë drejtimin e këtij institucioni e kishte gjetur Visho Likën si drejtor të rëndësishëm në SHISH-in e Bashkim Gazidedes. Sipas Klosit, ai i kishte kërkuar Likës të qëndronte në SHISH, por ky i fundit kishte refuzuar. Me largimin e tij, Klosi thekson se ai kishte zbuluar prova se Visho ishte pjesë e vjedhjes së zgjedhjeve parlamentare të vendit në vitin 1996. Nisur nga këto, Klosi theksoi se ai nuk e shikonte si të udhës emërimin e Likës në krye të këtij institucioni të rëndësishëm.
SHBA - Ambasada e SHBA-së në Shqipëri nuk ka shprehur ende një qëndrim zyrtar për sa i përket emërimit të Likës në krye të SHISH-it. Menjëherë pasi Lika u emërua në krye të SHISH, përmes një deklarate jozyrtare, ambasada shfaqi habi për kohën dhe motivet e shkarkimit të Bahri Shaqirit, por pa dhënë një qëndrim për Visho Likën.
Visho Ajazi figuron edhe zv.ministër burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip