TIRANË Kryeministri Sali Berisha e ka filluar analizën e tij njëvjetore të punës së qeverisë me vendimin për heqjen e vizave për shqiptarët. Kryeministri tha se kjo ishte arritja më e madhe e qeverisë dhe se heqja e vizave u mundësua si rezultat i reformave të ndërmarra dhe luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Berisha akuzoi kryetarin e opozitës, Edi Rama, se kishte bërë gjithçka për të penguar këtë proces. “E gjithë beteja absurde e ngjashme me veprat e Franc Kafkës kishte vetëm një qëllim që të bllokoheshin vizat dhe kjo sepse në rast se vizat do t’u jepeshin shqiptarëve, do t’i realizohej premtimi më personal i Berishës dhe kjo do të ishte katastrofë për opozitën. Për bllokimin e vizave nuk u njohën zgjedhjet, u bojkotua Kuvendi dhe u ndërmor greva më qesharake e urisë, pikërisht në muajin në të cilin Komisioni Europian do të propozonte për Shqipërinë heqjen e vizave”, - tha Berisha, duke theksuar se vizat u ndërmorën pikërisht si rezultat i reformave. “Vizat u hoqën sepse u ndërmorën me seriozitetin më të madh të gjitha reformat, vizat u hoqën se u zhvilluan zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe se pretendimet për zgjedhjet ishin të bazuara në qëllime personale. Vizat u hoqën sepse u miratua e gjithë paketa e ligjeve të domosdoshme për këtë proces, mbi të cilat opozita jo vetëm që nuk votoi, por i paditi në gjykatë me qëllimin dhe shpresën e vetme se do të mund të cenonte këtë proces”, - tha ai. Kryeministri Berisha foli vetëm për arritje në analizën e tij, duke përmendur mijëra kilometra rrugë të ndërtuara. Ai foli për internet në çdo shtëpi, për krijimin e infrastrukturës në fshat si në qytet, për reforma në arsim e shëndetësi. Berisha pranoi se në vend ka korrupsion, por shtoi se lufta kundër saj ka qenë e suksesshme. Ndërsa për raportin kritik të Komisionit Europian, kreu i ekzekutivit fajësoi opozitën.