bankaVjedhja ne Bankën e Shqipërisë pritet të pasohet shumë shpejt me të tjera arrestime.


Gjatë kësaj të enjte, në dispozicion të grupit hetimor janë vënë disa punonjës të bankës, të cilët kanë dhënë sqarime për rregulloren e brendshme të institucionit dhe funksionimin e tyre, gjë që do ti ndihmojë hetuesit për të përcaktuar përgjegjësit për secilin sektor dhe kryesisht atij të sigurisë, raporton Vizion plus. 


Një ndihmë për hetuesit ka qenë edhe dëshmia e të arrestuarit Ardian Bitraj, i cili pas rimarrjes ne pyetje, ka dhënë detaje të reja dhe të vlefshme për hetuesit, për mënyrën se si vidhej në kasafortën e departamentit të komisionit, i cili ndodhet në zonën e Linzës.


Bitraj ka sqaruar se ka qenë një gabim i pafalshëm hapja e kutive të parave që do të asgjësoheshin, të cilat sipas tij kanë bërë që të pikaset nga auditi qendror i bankës.


Ndërkohe prokurorët janë duke pritur raportin përfundimtar të auditit të bankës, i cili ka përcaktuar se shuma e vjedhur është 713 milionë lekë.