Lideri i Kremlinit: S’ka shanse për përmirësim me Turqinë. Trump, favorit i talentuar
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj Turqisë, sërish lidhur me rrëzimin e avionit luftarak rus muajin e kaluar. Incidenti në kufirin turko-sirian ishte një akt armiqësor, por Rusia nuk është vend që zmbrapset, deklaroi dje Putin në konferencën vjetore për shtyp, që mbajti në Moskë. Ai tha se nuk ka shanse për përmirësimin e marrëdhënieve me Turqinë, të cilës Rusia i ka vendosur sanksione, nën drejtimin e liderëve aktualë të saj. Turqit kanë vendosur tu lëpihen amerikanëve, u shpreh më tej shefi i Kremlinit. Vladimir Putin theksoi se, zyrtarët turq duhet të kishin marrë telefonin dhe të flisnin me rusët për shqetësimet e tyre mbi sulmet ajrore ruse në Siri. Turqia nuk ka arritur asgjë nga rrëzimi i avionit rus, ndërsa Rusia ka rritur praninë e saj në Siri, duke vendosur raketa antiajrore, shtoi Putin. Lideri i Kremlinit tha më pas, se Rusia ka modifikuar sistemin ajror të saj të mbrojtjes në Siri dhe paralajmëroi: Të provojë tani Turqia të fluturojë në hapësirën ajrore siriane, duke theksuar gjithashtu se para rrëzimit të avionit të saj luftarak, avionët turq e shkelnin gjithnjë hapësirën ajrore siriane. Rusia vendosi trupat e saj në Siri në shtator, në mbështetje të Presidentit Bashar al Assad dhe që prej atëherë ka kryer një seri sulmesh ajrore ndaj kundërshtarëve të tij. Kjo ndërhyrje është kritikuar ashpër nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e Gjirit Arab. Po ashtu, dje, Presidenti rus, Vladimir Putin, ndër të tjera ka komentuar edhe fushatën presidenciale në SHBA, ndërsa e ka cilësuar miliarderin amerikan, Donald Trump, si favorit në garë, duke shtuar se e mirëpret thirrjen e manjatit amerikan për marrëdhënie më të ngushta amerikanoruse. Ai është një person që shquhet është i talentuar, pa asnjë dyshim, ka thënë Putin, duke e cilësuar kandidatin republikan për president të Shteteve të Bashkuara, si favorit të qartë. Më parë, në muajin tetor, në një intervistë që manjati i pasurive të patundshme dhe multimiliarderi amerikan, Donald Trump, dha për rrjetin CNN, pati deklaruar se do të mund të bashkëpunonte fare normalisht me liderin e Kremlinit. “Mendoj se do tia kaloja mirë me të, pati thënë republikani Trump. Ndërsa kontaktet me SHBA-në kanë qenë më të shpeshta kohët e fundit, mosmarrëveshjet mes Moskës dhe Uashingtonit janë dëshmuar vazhdimisht prezente dhe deklarata e fundit e Putinit bërë dje para gazetarëve, për “lëpirje që Ankaraja po i bën SHBA-së”, mund të komentohet lehtësisht si një sinjal i qartë edhe për Uashingtonin, se Moska i kupton në mënyrën e vet veprimet e SHBA-së, edhe kur ato nuk duket se shfaqen hapur në skenë. Putin aktualisht ndodhet në mandatin e tij të tretë në krye të Rusisë, që prej vitit 2000. Kritikët thonë se të drejtat dhe liritë civile janë shtypur sistematikisht nga pushteti i tij, por fakt mbetet se ai vijon të jetë një ndër liderët më të fuqishëm të botës, duke u renditur në krye të listës së revistës Forbes.
Ky shkrim Vladimir Putin: Ankaraja po u lëpihet amerikanëve u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.