Sfida e kësaj të shtune në Loro Boriçi ndërmjet Vllaznisë dhe Luftëtarit, që do të nisë në prën 16:00, është dueli i kahëve të kundërt, por ku në lojë janë objektiva madhorë. Me humbjen në Durrës për të hedhur pas shpine, Vllaznia e Ernest Gjokës kërkon të shfrytëzojë faktorin fushë, por edhe kalendarin në favor deri në fund të sezonit, për tiu larguar sa më shpejt zonës së rënies nga kategoria. Ecuria e fundit flet në favor të kuqebluve, që nuk e njohin humbjen në pesë sfida ndaj Luftëtarit, ndërsa në përballjen e fundit në Shkodër fituan 2-1.


Pikërisht golat janë një tjetër pikë e fortë për Vllazninë, që gjatë këtyre dy sezoneve ka shënuar nga dy gola në portën gjirokastrite në tre ndeshjet e luajtura në shtëpi. Statistikë shpresëdhënëse në këto momente kur sulmi është në qendër të vëmendjes, e ku Çinari do të rikthehet në formacion në vend të Ribajt, ndërsa edhe mbrojtja është përforcuar nga rikthimi i Malotës. Në anën tjetër, Luftëtari duket i motivuar në sprintin final të kampionatit, pse jo për të luftuar për vendin e tretë në renditje. Kjo edhe sepse kualifikimi i Laçit në finalen e Kupës dhe përqindja në letër që kurbinasit ta fitojnë trofeun, mund të përsëritë atë që ndodhi sezonin e kaluar, kur gjirokastritët mbetën jashtë Europës.


Të besuarit e Hasan Likës mund të përfitojnë nga fakti që në Shkodër, për vetë ambientin dhe karakteristikat e ekipit vendës, mund të dalin në lojën e tyre. Një pikë referimi për këtë mund të jetë suksesi i fundit në Loro Boriçi, në ndeshjen e dhjetorit 2016, kur bluzinjtë fituan 3-2 dhe u konfirmuan jo vetëm si skuadër spektakolare, por edhe e frikshme në sulm. Të shtunën nevojitet Luftëtari më i mirë, por mbi të gjitha duhen golat për Europën.


Takimi tjetër i kësaj të shtune, po në orën 16:00, është ai mes Kamzës dhe Lushnjës. Për kamzalinjtë, që tashmë drejtohen nga Julian Ahmataj, pas largimit të Ndreut, lagunarët përbëjnë kundërshtarin e duhur për të prishur serinë e rezultateve negative, që e i kanë përfshirë në garën për mbijetesë. Suksesi i fundit i Kamzës në Superiore është pikërisht në Lushnjën në Roza Haxhiu në fazën e tretë. Prej atij takimi të fituar 2-3 skuadra nga periferia e Tiranës ka marrë 6 humbje dhe dy barazime, duke u zhvendosur nga gara për Kupat e Europës në atë për mbijetesë. Më e vështirë për Kamzën do të vijë në ndeshjet e ardhshme, pasi kalendari i rezervon takimet të vështira me ekipe që kanë objektiva për të arritur.


21 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)