Vllaznia ka përfunduar fazën përgatitore në Pukë. Kur mungon vetëm një javë nga sfida e parë me irlandezët e Sligo Rovers, në turin e parë eliminator të Europa League, shkodranët do të kthehen në shtëpi për të zhvilluar përgatitjet e fundit. Gjendja e skuadrës do të kontrollohet në miqësoren e së shtunës me Dinamon, një test mjaft i mirë për trajnerin Hasan Lika që të provojë edhe elementët e rinj të skuadrës. Kontingjentit kuqeblu i është shtuar edhe mesfushori Rrahman Hallaçi. Mesfushori kuksian i ka dhënë fund aventurës me Elbasanin, që nuk arriti të mbijetonte mes më të mirëve dhe firmosi kontratë me presidentin Valter Fushaj. Blerja e Hallaçit është "sponsorizuar" edhe nga trajneri Lika, pasi të dy njihen mjaft mirë që prej periudhës kur ishin pjesë e Partizanit. Ndërkohë, ende nuk ka asnjë lajm nga dy futbollistët brazilianë, të cilët priteshin t‘i bashkoheshin ekipit që prej së martës. Justifikimi i menaxherit ka qenë se vonesa e mesfushorit Dos Santos dhe sulmuesit Salis erdhi për shkak të problemeve me linjat e aeroplanëve, megjithatë ata nuk u paraqitën as gjatë ditës së djeshme. Afrimi i Hallaçit mund të jetë konfirmimi se drejtuesit e klubit kuqeblu nuk kanë më shpresa për ardhjen e lojtarëve nga vendi i "sambas".