Pas humbjes në Durrës ndaj Teutës, Vllaznia zhgënjeu sërish, këtë herë në Loro Boriçi, duke rrezikuar tashmë më shumë se kurrë mbijetesën, pasi u mposht nga Luftëtari me rezultatin 0-2.


Ndryshe nga sa pritej, skuadra e Gjokës nuk u shfaq aspak kërkuese, teksa Hasan Lika e kishte studiuar mirë kundërshtarin dhe e priste mbrapa, për ta goditur me zbritje shumë të shpejta.


Golat për gjirokastritët u shënuan të dy në pjesën e dytë dhe patën për protagonistë dy prej yjeve të Luftëtarit, Kristal Abazajn dhe Dejvi Bregun. Fillimisht ishte lojtari më i ri i Anderlechtit, që bëri çfarë deshi me Mersinin në zonë dhe më pas mposhti portierin Sherri, duke dërguar topin në rrjetë nga një kënd shumë i vështirë.


Më pas, talenti vlonjat shënoi golin e dytë, pas një aksioni mjaft të bukur, që pa për protagonist vetë Bregun dhe fantazistin Rroca. Vlen të përmendet se publiku shkodran duartrokiti fillimisht Abazajn kur u zëvendësua nga Lika, ndërsa më pas edhe Bregun, teksa në shenjë mosmiratimi për situatën ku ndodhet Vllaznia, u larguan shumë më herët nga stadiumi.


Nga ana tjetër, Kamza është rikthyer te fitorja pas 9 javësh, teksa ka mposhtur Lushnjën me rezultatin 2-1, ndonëse jo pa vështirësi. Gjithçka u zhvillua në pjesën e dytë, teksa Sebino Plaku shënoi të dy golat për skuadrën e Julian Ahmatajt, ndërsa Sefa barazoi përkohësisht për Lushnjën.


Me këtë fitore, Kamza shkëputet me 4 pikë nga Vllaznia dhe Teuta, duke hedhur një hap drejt qëndrimit në Superiore, ndërsa durrsakët do ta luajnë nesër takimin e tyre, në Vlorë përballë Flamurtarit.


21 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)