/>Studentja Lediana Zeka, e cila plagosi me thikë dy ditë më parë bashkëmoshatarin e saj, Klodia Kamberaj, me të cilin kishte edhe një lidhje dashurie do të gjykohet në gjendje të lirë. Ky ka qenë vendimi që ka dhënë gjykata ndaj saj ditën e djeshme. Menjëherë pas krimit të plagosjes me dashje të një moshatari, ajo bashkë me armën e krimit është vetëdorëzuar në komisariatin e policisë, ku ka treguar me detaje jo vetëm ngjarjen, por edhe shkaqet që e çuan atë në këtë veprim.

Ajo ka treguar se kishte pasur një lidhje dashurie me studentin Kamberaj, por kjo lidhje i ishte bërë e padurueshme sepse ai kishte filluar ti kërkonte lekë dhe njëkohësisht kishte filluar ta shante me fjalë të ndryshme jo vetëm kur ishin të bashkë, por edhe në sy të shokëve dhe shoqeve të klasës. Këto sharje kanë qenë të padurueshme dhe ndonëse ajo kishte kërkuar qetësi nga ai, nuk e kishte gjetur një gjë të tillë. Në këto kushte ajo e kishte goditur djalin në korridor të universitetit. Ndërsa për shtetasen Zekaj është marrë masa e sigurisë gjykim në gjendje të lirë, studenti i goditur Kamberaj mësohet se është në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë, lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe rektorati i universitetit, që me anë të një deklarate ka shprehur indinjatën për një veprim të tillë dhe se ai nga ana e vet do të marrë masa të rrepta për të gjithë ata që shfaqin të tilla veprime.
Ngjarja
Studentja Lediana Zekaj dhe bashkëmoshatari i saj, Klaudio Kamberaj kanë qenë shokë klase në vitin e dytë në degën e shkencave teknike të Universitetit Ismail Qemali në Vlorë. Ata kanë pasur një lidhje dashurie që dihej nga të gjithë shokët e shoqet e kursit. Gjatë gjithë vitit të parë, ata qëndronin gjithnjë bashkë në një bankë. Mirëpo gjatë orës së dytë të mësimit zhvilluar dje në sallën C 101 në katin e parë të godinës së re të universitetit, ata kanë debatuar midis tyre. Debati ka vazhduar edhe pasi ka mbaruar mësimi, në korridorin e godinës së universitetit. Pikërisht në këtë korridor, në një moment Zekaj ka nxjerrë nga çanta e saj një thikë dhe me të ka goditur në fyt shokun e saj të klasës, Kamberajn. Menjëherë pas goditjes, vetë Zekaj ka mundur të largohej nga godina për tu vetëdorëzuar pas rreth një ore në komisariatin e policisë së bashku me thikën e krimit. Kanë qenë studentë të tjerë që kanë parë skenën, por nuk kanë mundur të ndërhyjnë në momentin kur Zekaj ka ngulur thikën në fytin e Kamberajt. Pas largimit të vajzës, studentët e tjerë e kanë marrë menjëherë në krah Kamberajn e plagosur dhe e kanë shoqëruar për në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku fillimisht ai ka qenë në gjendje shumë të rëndë. Mirëpo ndërhyrja e shpejtë dhe profesionale e mjekëve ka bërë të mundur kalimin e rrezikut për jetën nga studenti 20- vjeçar.