Siguria në plazhe është një temë e nxehtë e kësaj vere dhe Ministria e Turizmit është investuar për përmirësimin e këtij kriteri, duke bashkëpunuar me subjektet private dhe duke kërkuar zbatim korrekt të ligjit nga pushteti vendor që jep lejet për ushtrim aktiviteti për operatorët.


Vetëm në plazhin e Vlorës janë shpëtuar 5 persona gjatë dy muajve të sezonit veror, ndërsa vrojtuesit po trajnohen dhe licencohen për dhënien e ndihmës së parë.


Ministria e Turizmit njofton se një prej vrojtuesve i ka dhënë ndihmën e parë, duke shmangur tragjedinë për një turist kosovar, 40 vjeç, i cili po rrezikonte të mbytej.  Ai po lahej në një plazh privat në Lungomare, por valët e trazuara kanë bërë që të humbte kontrollin.


Personi është pikasur nga vrojtuesi, i cili i ka shpëtuar jetën dhe ka lajmëruar urgjencën, makina e së cilës ka ardhur dhe e ka marrë brenda pak minutash.


Ndërhyra në kohën e duhur dhe veprova sipas rregullave të një vrojtuesi plazhi. Isha te kulla e vrojtimit mora beywatching shkova me vrap te i rrezikuari. Personi po tundte duart, po mbytej, po tregonte qartë që ishte në rrezik, pasi shkova i zgjata kamerdaren, e kapi dhe e tërhoqa. E ngrita aty erdhi dhe shoku, i cili punon me çadrat në plazh, erdhi më ndihmoi e kapëm të dy. Pasi e nxorëm nuk ishte në gjendje shumë të mirë, tensionin e kishte shumë të lartë, pulsin gjithashtu, kishte problem me zemrën, të rrahura të forta. Ishte rreth 40 vjeç, kosovar, tha vrojtuesi Andrea Cenodemaj.


Një plazhiste që vazhdon pushimet e saj tregoi rastin duke thënë: Kam 10 ditë që pushoj në këtë plazh. Gjendja u normalizua për 10 minuta, djaloshi jo vetëm shpëtoi jetën e personit po lajmëroi dhe ambulancën e cila erdhi për 3 minuta.


18 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)