>Vlorë, studentja plagos me thikë shokun e klasës. Vetëdorëzohet në polici 
Një ngjarje e rëndë ka tronditur dje Universitetin Ismail Qemali të Vlorës. Një studente e këtij universiteti ka plagosur me thikë në fyt shokun e saj të klasës, duke i rrezikuar atij jetën, ndërkohë që vetëm një orë më pas ajo është vetëdorëzuar në polici së bashku me thikën e krimit. Lediana Zekaj, duket se e kishte paramenduar veprimin që do të bënte, pasi në çantën e saj, përveç thikës është gjendur edhe një kaçavidë.

Ajo ka plagosur shokun e klasës së saj, Klaudio Kamberaj dhe e gjitha kjo pasi ky i fundit ka dëshiruar ti japë fund një lidhjeje dashurie që kishte ekzistuar midis dy të rinjve, të cilët studionin në vitin e dytë të këtij universiteti. Ndërkaq, mjekët pohuan se pas rrezikut të çastit, tashmë Kamberaj është në gjendje më të mirë shëndetësore, pasi e kaluar kufirin e vdekjes.
Ngjarja  
Studentja Lediana Zekaj dhe bashkëmoshatari i saj, Klaudio Kamberaj kanë qenë shokë klase në vitin e dytë në degën e shkencave teknike të Universitetit Ismail Qemali në Vlorë. Ata kanë pasur një lidhje dashurie që dihej nga të gjithë shokët e shoqet e kursit. Gjatë gjithë vitit të parë, ata qëndroni gjithnjë bashkë në një bankë. Mirëpo gjatë orës së dytë të mësimit zhvilluar dje në sallën C 101 në katin e parë të godinës së re të universitetit, ata kanë debatuar midis tyre. Debati ka vazhduar edhe pasi ka mbaruar mësimi, në korridorin e godinës së universitetit. Pikërisht në këtë korridor, në një moment Zekaj ka nxjerrë nga çanta e saj një thikë dhe me të ka goditur në fyt shokun e saj të klasës, Kamberajn. Menjëherë pas goditjes, vetë Zekaj ka mundur të largohej nga godina për tu vetëdorëzuar pas rreth një ore në komisariatin e policisë së bashku me thikën e krimit. Kanë qenë studentë të tjerë që kanë parë skenën, por nuk kanë mundur të ndërhyjnë në momentin kur Zekaj ka ngulur thikën në fytin e Kamberajt. Pas largimit të vajzës, studentët e tjerë e kanë marrë menjëherë në krah Kamberajn e plagosur dhe e kanë shoqëruar për në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku fillimisht ai ka qenë në gjendje shumë të rëndë. Mirëpo ndërhyrja e shpejtë dhe profesionale e mjekëve ka bërë të mundur kalimin e rrezikut për jetën nga studenti 20- vjeçar.
Motivet   
Studentët Zekaj dhe Kamberaj, përveçse shokë klase kanë qenë edhe shokë banke dhe njëkohësisht kishin edhe një lidhje dashurie midis tyre. Shoqe dhe shokë të tyre tregojnë se ata rrinin gjithmonë bashkë dhe nuk ndaheshin asnjëherë, gjatë dhe pas mësimit. Mirëpo, për arsye që askush nuk di ti shpjegojë, Kamberaj ka dashur ti japë fund kësaj lidhjeje dashurie. Ai është munduar disa ditë tia sqarojë situatën edhe shoqes së tij, e cila nga ana e saj jo vetëm nuk e ka pritur mirë këtë prishje të dashurisë, por edhe ka menduar edhe se si të hakmerret. Sipas hetimeve të para rezulton se veprimi i saj ka qenë i paramenduar sepse përveç thikës së krimit, në çantën e saj, pas kontrollit nga ana e policisë është gjendur edhe një kaçavidë që është menduar nga studentja të jetë rezervë në krimin që kishte menduar të bënte. Pas debateve në klasë, ajo ia ka ngulur pa hezitim thikën në fyt ish- shokut të saj dhe ndërsa nga të gjithë është menduar se ajo është arratisur, ajo ka shkuar dhe është vetëdorëzuar në komisariatin e policisë. Burime nga kjo e fundit bëjnë me dije se krimi ka qenë i paramenduar dhe se studentja nuk shprehte asnjë shenjë pendimi për veprimin që kishte bërë. Ajo nuk ka dhënë shpjegime për krimin, duke kërkuar të ketë të pranishëm një avokat, por është vënë re që ajo nuk ndjehej e penduar. Ndërkohë që burime nga spitali rajonal bëjnë me dije se tashmë studenti Kamberaj është jashtë rrezikut për jetën.