Një qen pitbull pa maskë i shkaktoi plagë një fëmije që po luante në sheshin e Pazarit të Ri.


Prindërit e vogëlushit zgjodhën ta bëjnë publike ngjarjen dhe kërkojnë që autoritetet të sensibilizohen mbi këtë fenomen.


Babai i djalit, Marius Spahia thotë: Siç u bë fëmija im viktimë, mund të bëhet çdo fëmijë tjetër. Është shumë e rrezikshme. Edhe kur shkova tek institucionet përkatëse, si bashkia apo policia, pashë që nuk morën masa fare.


Ndërsa nëna e fëmijës së lënduar shprehet: Të gjithë ata që kanë një qen, kanë të gjithë të drejtën ta mbajnë, por duke zbatuar rregullat, jo ne të kufizohemi kur të dalim në rrugë e të kemi frikë. Nëse ai qen do të kishte maskë, fëmija im nuk do të kishte këto pasoja sot.


Në rrugët apo parqet e Tiranës shumë pronarë qensh lëvizin të qetë me kafshët e tyre pa maska, ndërsa në vende të tjera të botës si në Angli, një qen pitbull apo rodwailer cilësohet një armë.


Top Channel u interesua pranë Ministrisë së Bujqësisë si institucion përgjegjës dhe në dispozicion na u vu një vendim i Këshillit të Ministrave për STANDARDET E SHËRBIMIT VETERINAR TË QEVERISJES VENDORE i vitit 2013, që në fakt bie ndesh me vetë ligjin për shërbimin veterinar të vitit 2011.


Hermiona Hajdini, përgjegjëse e Sektorit Veterinar në Bashkinë e Tiranës, deklaroi: Aktualisht, nuk ka një ligj të qartë, koherent apo me dispozita përkatëse, ndaj duhet një ligj i ri për zgjidhjen e këtij problemi. Ministria e Bujqësisë është autoriteti përkatës për këtë, ne jemi vetëm struktura zbatuese.


Me ligjin aktual, Policia Bashkiake vetëm mund të këshillojë pronarët e qenve, ndërsa në botë, përveç gjobave, qeni mund të sekuestrohet, ndërsa pronari mund të ndiqet edhe penalisht.


7 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)