Rrafsh një vit, Sami Kurteshi ka që është Avokat i Popullit. Asnjëherë deri më tash ai nuk ka paraqitur raport para Kuvendit të Kosovës, edhe pse ligji e obligon ta bëjë këtë. Sot një vit, më 4 qershor 2009, Kurteshi është zgjedhur nga Kuvendi në këtë detyrë, duke pasuar ushtruesin e detyrës, Hilmi Jasharin.



Avokati i popullit është i obliguar të raportojë para Kuvendit, sipas nenit 188 të Kushtetutës së Kosovës dhe këtë ai duhet ta bëjë në fillim të vitit kalendarik.



“Avokati i Popullit ka për obligim që të raportojë para Kuvendit të Kosovës, raport vjetor ose raport kur kërkohet prej tij”, thuhet në Kushtetutën e Kosovës.



Megjithëkëtë, kanë kaluar gjashtë muaj nga afati ligjor dhe ai ende nuk e ka bërë këtë. Por, këtë vonesë të raportit, Sami Kurteshi e arsyeton për shkak të situatës së krijuar rreth përzgjedhjes së Avokatit të Popullit gjatë viti të kaluar.



“Raporti është dashur të publikohet sipas rregullit që ka qenë në institucion, në korrik të vitit të kaluar, por kjo nuk është bërë për shkak të situatës rreth zgjedhjes së Avokatit të Popullit”, thotë Kurteshi për Express.



Sipas tij, arsye tjetër që ka penguar në mospublikimin e raportit me kohë është edhe lëvizja e stafit të kaluar, i cili është udhëhequr nga paraardhësi i tij në këtë detyrë, Hilmi Jashari.



“Njerëzit që kanë lëvizur, kanë punuar në raport përpara dhe janë larguar nga institucioni”, thotë për Express Avokati i Popullit, Sami Kurteshi.



Vetë Ombudspersoni shpjegon se tash është ndërruare dhe koha e publikimit të raportit.



“Tash raportin do ta publikojmë çdo një vit e gjysmë. Nuk do ta bëjmë siç ka qenë 1 korrik 2008 dhe 31 dhjetor 2009. Ne tash do ta ndërrojmë kohën në lidhje me raportin vjetor të Avokatit të Popullit”, sqaron Kurteshi, duke sqaruar se raporti është gati dhe pritet që shumë shpejt të publikohet brenda këtyre ditëve.



Sami Kurteshi është Avokati i parë i Popullit i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, pasi këtë detyrë për tri vjet e kishte ushtruar Hilmi Jashari si ushtrues detyre. Para tij, në këtë post ka qëndruar për katër vjet Marek Antony Nowicki, i cili edhe e kishte krijuar këtë institucion bazuar në rregulloret e UNMIK-ut.