Britania mund të zhytet në ujëra të paeksploruar nëse ligjvënësit refuzojnë marrëveshjen e Brexit.


Kështu ka paralajmëruar kryeministrja britanike, Theresa May, e cila e ka negociuar këtë marrëveshje.


Në një intervistë për DailyMail, May ka thënë se refuzimi i propozimeve të saj do të nënkuptonte paqartësi të mëdha për shtetin.


Ajo ka paralajmëruar anëtarët e Parlamentit se veprimet e tyre mund të çojnë në zgjedhje dhe se ka një rrezik të vërtetë që të mos ketë Brexit fare, apo dalje të Britanisë nga Bashkimi Evropian.


Zyra e May më herët ka hedhur poshtë raportimet e mediave, se kryeministrja do ta shtyjë votimin në Parlament, që është paraparë të mbahet më 11 dhjetor, ku do të votohet për Brexitin.


Muajin e kaluar, Qeveria e kryeministres May ka arritur marrëveshje me Brukselin rreth Brexitit, ku janë pajtuar për kushtet në bazë të të cilave, Britania do të largohet nga BE-ja në muajin mars. Megjithatë, kjo marrëveshje duhet të miratohet edhe në Parlament.


9 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)/REL