18/04/2012  Propozimi për reformën parlamentare. Ballafaqimi me rregulloren e PE-së


Presidenti i ardhshëm i vendit pritet të zgjidhet me një procedurë të re votimit. Ai do të jetë i fshehtë dhe me kuti, siç është zhvilluar deri më sot, por elementi që do ti shtohet procedurës, që synon rritjen e nivelit të ruajtjes së fshehtësisë së votës së deputetëve, do të jetë një zarf. Pikërisht brenda saj do të futet dhe fleta e votimit. Zarfi, pasi të mbyllet, do të vuloset nga sekretarët e dy kampeve për të verifikuar legjitimitetin e votës. Propozimi më i fundit është bërë nga opozita në Komisionin parlamentar për Reformimin e Rregullores së Kuvendit, propozim ky që duket se do të marrë dhe miratimin e mazhorancës në këtë komision. Këtë e bëri me dije Kryeministri Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit në formë konference që zhvilloi me gazetarët. Ai tha se mazhoranca është e gatshme të pranojë çdo propozim të opozitës, nëse ato janë në përputhje me rregulloren e Parlamentit Evropian. “Në Komisionin për reformën parlamentare ka ardhur një propozim ku thuhet se presidenti votohet me zarf. Tani, marrëveshja thotë që të përshtatemi me rregulloren e PE-së. Bashkëpunëtorët e mi më thonë se kështu e ka edhe rregullorja e PE-së. Pas verifikimit patjetër që do ta pranojmë”, - u përgjigj Berisha.


Kreu i qeverisë foli është për situatën në KLD pas emërimit të Elvis Çefës si anëtar i tij. Ai akuzoi Presidentin Topi për shkelje të Kushtetutës. “Ekziston një përpjekje e re për të dhunuar Kushtetutën nga Presidenti, i cili e mbyll mandatin duke regjistruar akte rekord në historinë e një demokracie të dhunimit dhe thyerje të Kushtetutës, të një zotërie që në konceptin e tij e konsideron karrigen e Presidentit mbi ligjin themelor të shtetit, mbi vendimet Gjykatës Kushtetuese”, - tha Berisha. Pavarësisht kësaj, ai garantoi se ndaj kreut të shtetit nuk do të ketë asnjë ndjekje ligjore për dhunim të Kushtetutës e shpërdorim të detyrës. Referuar votimit të kandidatit të PD-së vetëm nga një deputet i LSI-së, duke rrezikuar mazhorancën, Berisha garantoi se koalicioni PD-LSI funksionon më së miri. Për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës Berisha nuk paraqiti asnjë emër konkret për kandidat. Ai tha se PD-ja do të zhvillojë konsultime edhe me opozitën, por gjithsesi presidenti do të jetë nga PD-ja. “Do të jenë forumet, edhe kryetari i partisë, që do të përcaktojë atë. Pa diskutim që do të ketë konsultime me koalicionin. Konsultime mund të bëhen edhe me opozitën. Nuk e përjashtoj fare. Konsultimet do të jenë të hapura, por presidenti do të jetë nga PD-ja. Sigurisht që do të jetë politik, pasi ai është post politik, jo bamirësie. Kështu ai do të jetë njeri me integritet të lartë, me fibër politike, patriot, të ketë mbështetje, në mënyrë që të jetë i suksesshëm”, - tha Berisha.


PS interpelancë me Berishën e Imamin


Mbledhje grupi, Rama ripropozon aplikimin e taksës progresive


Partia Socialiste këmbëngul në ndryshimin e politikave fisklave përmes aplikimit të taksës progresive, nëse do të arrijë të fitojë në zgjedhjet e ardhshme politike. Kryesocialisti Edi Rama në mbledhjen me grupin parlamentar ka deklaruar se taksat do të bazohen mbi politikat kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal. Në vijim të sulmeve ndaj qeverisë ai akuzoi ministrin e Mbrojtjes Arben Imami se përmes manovrave të ndryshme po tenton të përvetësojë pronat e ushtrisë për llogari të njerëzve pranë pushtetit. “Ne do të kërkojmë urgjentisht interpelancë për shpjegime para parlamentit dhe përpara publikut nga ministri i Mbrojtjes, që thotë se nuk ishte në dijeni se po shkelte kompetencat e Presidentit të Republikës për emërimin e komandantit të ri të Flotës, ndërkohë që çështja e komandimit të Flotës nuk ka lidhje fare me asnjë arsye që ka të bëjë me përmirësimin e performancës së ushtrisë shqiptare. Ka lidhje me synimin për ti gllabëruar Flotës Shqiptare pasuri të patundshme”, - deklaroi Rama. Interpelancë PS-ja do të kërkojë edhe me kryeministrin e vendit për të sqaruar pse prej një viti është bllokuar marrëveshja e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. “Berisha duhet të përgjigjet publikisht pse është bllokuar prej një viti ky projekt strategjik për Shqipërinë dhe Kosovën. Pse qeveria dhe Berisha nuk i kanë dhënë përgjigje financuesit prej një viti dhe pse qeveria e ka parë të udhës të sillet në kundërshtim me normat etike e ligjore në kushtet e një bashkëpunimi me një donator të rëndësishëm për pavarësinë energjetike të Kosovës”, - deklaroi Rama. Socialistët do të mbajnë qëndrim zyrtar për votimin e Çefës si anëtar i KLD-së.