Barak Obama shpreson të "rrëmbejë" nominimin e Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale pas votimit në parapraket e Kentakit dhe Oregonit. Ai duket se do të fitojë në Oregon ndërsa rivalja e tij, ish-zonja e Parë, Hillari Klinton, në Kentaki. Në parapraket e deritanishme, Obama ka siguruar më shumë delegatë të cilët edhe do të zgjedhin të nominuarin e partisë në konventën kombëtare të demokratëve. E tani, atij i nevojitet vetëm një numër i vogël delegatësh, ndërsa Klinton sidoqoftë, mbetet larg tij. Ajo insiston se gara ende nuk ka përfunduar, po analistët thonë se Obama ka shumë gjasa të vetëshpallet kandidati zyrtar i demokratëve, pas garës së radhës. Obama kryeson edhe për sa u takon të ashtuquajturve "Super-delegatë" që fitojnë automatikisht të drejtën e votës në Konventë për shkak të postit të lartë që mbajnë në parti. Votat e të martës, gjithsesi, nuk do ta çonin Obamën në kuotën totale prej 2026 delegatësh të domosdoshëm për të marrë nominimin e partisë. Por, ai pritet të sigurojë edhe një shumicë delegatësh "të premtuar" që nuk do të mund të arrihet nga rivalja. E kjo arritje do të inkurajojë edhe superdelegatët ende të pavendosur që në momentin final, të mbështesin senatorin me ngjyrë. Qendrat e votimit, u hapën në Kentaki në orën 06.00 sipas orës lokale (12.00 sipas orës sonë) dhe qëndruan të hapura për 12 orë. Ndërsa zgjedhësit në Oregon, që aplikon një sistem votimi me postë, kanë kohë deri në orën 20.00 me orën lokale ose 05.00 me orën tonë, të dërgojnë votat e tyre në zyrat elektorale. Hillari Klinton ishte përqendruar më shumë në Kentaki, ku ajo kishte një kryesim të dukshëm në sondazhe. "Nuk ka mbaruar asgjë", u tha ajo mbështetësve në një takim, të hënën. Ekipi i saj elektoral, paralajmëroi Obamën që të mos shpallte një fitore të parakohshme duke thënë se kjo do të ishte një shuplakë në fytyrë për miliona mbështetës së saj në një kohë kur gara është ende e hapur dhe priten zgjedhjet paraprake edhe në disa shtete të tjera. Ndihmësit e Obamës gjithnjë e më shumë po këmbëngulin në faktin se ai e ka siguruar tashmë nominimin demokrat dhe duhet të përballet me Xhon MekKejnin në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. "Ndërsa i afrohemi fitores në njërën garë, po përgatitemi edhe për sfidën e radhës, në nëntor", tha Dejvid Plouf, një nga drejtuesit e fushatës së Obamës. "Presidenti Bush dhe senatori MekKejn, kanë filluar të koordinojnë sulmet mbi Barak Obamën në një përpjekje për të shtrirë politikat e tyre të dështuara edhe në një mandat të tretë". Obama ka paralajmëruar ndërkohë se do të mbajë një fjalim në Ajoua, skenë e fitores së parë të tij në zgjedhjet paraprake të janarit, para se rezultatet e zgjedhjeve në Kentaki dhe Oregon të publikohen. Sipas korrespondentëve, ai pritet të deklarojë se sezoni i zgjedhjeve paraprake ka përfunduar dhe ka nisur gara e vërtetë presidenciale. Dhe në fakt, pavarësisht se Klinton vazhdon të insistojë se gara është ende e hapur, e vërteta është se superdelegatët e pavendosur, gjithnjë e më shumë po pozicionohen në krah të Obamës. Sipas agjencisë së lajmeve "Associated Press", ai ka fituar edhe gjashtë të tillë të hënën, duke e çuar numrin total delegatëve, përfshirë edhe superdelegatët në 1915-ën, ndërsa Klinton ka 1721. Pasi 103 delegatët që janë në lojë në Kentaki dhe Oregon të jenë ndarë mes dy rivalëve, Obamës do t‘i mungojnë vetëm 50 të tillë, për të kompletuar numrin e domosdoshëm për marrjen e nominimin.