VLORË - Një vrasje aksidentale ka çuar në pranga një person. Burime zyrtare nga Policia e Vlorës thanë se, kanë vënë në pranga ditën e djeshme një person të dyshuar për vrasjen e një 34-vjeçari pak ditë më parë. Sipas policisë, shtetasi Qamil Haskaj u arrestua dje me urdhër të prokurorisë lidhur me vdekje e shtetasit Viktor Leskaj, tri ditë më parë në Orikum. Viktima ka gjetur vdekjen në afërsi të bregut të detit në zonën e quajtur “Raguza 1”. Ai së bashku me të arrestuarin për vrasjen nga pakujdesia, kanë qenë duke peshkuar me dinamit. I dyshuari për krimin, në mënyrë të pakujdesshme ka hedhur lëndën plasëse në afërsi të shtetasit Viktor Leskaj i cili për pasojë gjeti vdekjen. Policia fillimisht dyshoi për një vdekje nga pakujdesia nga vetë viktima, por më pas nga hetimi i ngjarjes, u fajësua i arrestuari i djeshëm i cili kishte shpërthyer eksplozivin në kohën kur viktima ndodhej në det. Akuzat e ngritura ndaj 38-vjeçarit Qamil Haskaj janë “vrasje nga pakujdesia” dhe “peshkim i ndaluar”.
Keqtrajton fëmijën, policia nis hetimin ndaj nënës
DURRËS - Keqtrajtimi i fëmijës ka çuar nën hetim një në të re. Policia e Durrësit ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se, 34-vjeçarja me inicialet E. B., ka rrahur aq fortë fëmijën sa është dashur sjellja e tij në Spitalin Ushtarak që të marrë ndihmën mjekësore. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë dhe viktimë është një djalë 8-vjeçar. Sipas policisë, 34 vjeçarja nga Puka dhe banuese në lagjen 14 në Durrës ka keqtrajtuar fëmijën e saj rreth orës 08:00 të mëngjesit të tre ditëve më parë për motive të dobëta. I mituri është dërguar menjëherë në spital dhe pas ndihmës mjekësore të marrë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, është dërguar në banesë. Tashmë nëna keqtrajtuese e të birit të vet po ndiqet penalisht në gjendje të lirë për keqtrajtimin e të miturve.