Policia e Lezhës, pas hetimeve disa mujore, finalizuan operacionin policor "Spiderman" si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi Kreshnik Bardhi, 29 vjeç, banues në Lezhë.

denis-kasaj

Dyshohet se ky shtetas është autor i disa vjedhjeve në qytetin e Lezhës, mes të cilave edhe grabitja e një automjeti që është përdorur për vrasjen e një biznesmeni në Fier disa muaj më parë.



Me datë 23.11.2015, ka vjedhur banesën e shtetasit A.P. në Lezhë ndërsa me datë 09.12.2015, ka vjedhur automjetin e llojit "Toyota" në pronësi të këtij shtetasi.

Ky automjet është gjetur i braktisur dhe i djegur me datë 08.01.2016 pasi ishte përdorur po atë dite nga autorët e vrasjes së një biznesmeni në qytetin e Fierit.

Bëhet fjalë për biznesmenin Denis Kasa i cili ishte duke udhëtuar me një makinë së bashku me dy shokë të tij, Elton Margariti dhe Klement Kastrati, kur është qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një tjetër automjet, i cili u kishte zënë pritë atyre tek "Kthesa e Mullirit të Artë", në Fier.

Nga hetimi rezulton se autori i grabitjes së makinës Kreshnik Bardhi, fillimisht i ka vjedhur çelësin e automjetit dhe më pas automjetin.

Gjithashtu Kreshnik Bardhi me datë 18.03.2016, ka vjedhur automjetin e llojit Benz C-Class në përdorim të shtetasit B.C.

Ky shtetas pasi kryente vjedhjet e banesave merrte çelsat e automjeteve ku më pas kryente dhe vjedhjen e automjeteve.

Ky shtetas dyshohet si autor i disa vjedhjeve me dhunë të kryera në Rrethin e Lezhës, dhe disa rrethe te tjera për të cilat po punohet për dokumentimin e tyre.

Materialet proceduriale në ngarkim të tij i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale " Vjedhja " në bashkëpunim parashikuar nga neni 134/3, 25 I Kodit Penal.