Vrasja e Marvi Mihalit për një karikues i tronditi të gjithë, por ishte lirimi i autorëve të ngjarjes, skandali që hodhi në erë besimin tek sistemi i drejtësisë.


Të akuzuarit për ngjarjen u rikthyen në qeli vetëm pas zbulimit të një videoje të kamerave të sigurisë së bizneseve përreth, të shfaqur në Top Channel. Pas ndryshimit të masës së sigurisë për dy nga të pandehurit, Prokuroria ka kërkuar sot një vendim të ngjashëm edhe për një tjetër bashkëmoshatar të akuzuar për vrasjen e Marvi Mihalit.


Bëhet fjalë për Eugen Bitrajn, për të cilin është kërkuar ndryshimi i masës nga detyrim paraqitje në “arrest me burg”.


Gjykata më herët kishte ndryshuar masën e sigurisë ndaj Kridens dhe Marsel Allës, të akuzuar për vrasje në bashkëpunim të 20 vjeçarit, nga detyrim paraqitje në arrest me burg.


Ndryshimet e masës se sigurisë erdhën pas denoncimit që bënë familjarët e viktimës pas lirimit të tre të akuzuarve në masën detyrim paraqitje. Familjarët paraqitën  pamje filmike të kamerave të sigurisë që kishin fokusuar ngjarjen ku shfaqeshin të katër të akuzuarit e lartë përmendur që dhunonin dhe godisnin me thikë Marvi Mihalin.


18 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)