Vrasja e Ravik Gurrës, avokatit të njohur që kishte mbrojtur në procese gjyqësore anëtarë të fisit Çapja nga Elbasani dhe Emiljano Shullazin, ka tronditur jo vetëm qytetin por edhe avokatët në mbarë vendin.


Ekzekutimi i stilit mafioz ka bërë që Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë të kërkojë nga organet ligjzbatuese të zbardhin sa më parë ngjarjen e rëndë.


Ndërkohë, theksohet se kërcënimet ndaj avokatëve po përshkallëzohen dita-ditës.


Dhoma e Avokatisë të Shqipërisë, nëpërmjet mediave, u vu në dijeni të vrasjes me armë zjarri të avokat Ravik Gurra, anëtar i Dhomës të Avokatisë Tiranë. Ajo, e tronditur thellë nga kjo ngjarje, me shqetësim dhe indinjatë të thellë, iu kërkon organeve ligjzbatuese, duke i dhënë përparësi gjetjes dhe vënies para përgjegjësisë të autorëve të kësaj vepre, e cila vjen e bëhet çdo ditë më prezente në kërcënim të jetës dhe shëndetit ndaj avokatëve, veprime që kanë marrë përshkallëzim në rritje ndaj profesionit sa të nderuar, aq edhe fisnik të avokatit, thuhet në deklaratën e Dhomës së Avokatisë.


Por, Dhoma e Avokatëve në Elbasan ka shkuar edhe më tej duke ndërmarrë një akt ekstrem.


Duke marrë shkas nga ngjarja e rëndë, kolegët e Gurrës në qytetin e tij nga sot kanë ndërprerë për tre ditë çdo shërbim avokatie në shenjë proteste.


Dhoma e avokatëve në Elbasan, duke marrë shkas nga vrasja e mbrëmshme e kolegut dhe avokatit Ravik Gurra, në një atentat mafioz, do të ndërpresë në shenjë proteste për tri ditë nga dita e hënë çdo shërbim avokatie duke bllokuar çështjet gjyqësore, thuhet në njoftim.