Apeli i gjyshit të tij nga nëna, Fahri Vejuka për ta lejuar që të marrë pjesë në varrimin e babait dhe xhaxhait, të cilt u ekzekutuan ditën e djeshme në Shkodër duket se nuk ka rënë në vesh të shurdhër.


Ish-kampioni i boksit Asmer Bilali, i cili prej disa muajsh ndodhet në burg, ka mbërritur këtë mesditë pranë familjes së tij.


Ai do të përcjellë në banesën e fundit të atin Astritin dhe xhaxhain Brahimin, të cilët u ekzekutuan me armë zjarri në kohën që po dilnin nga banesa e tyre në zonën e njohur si Zooteknike.


Asmer Bilalit i është dhënë leje nga burgu që të marrë pjesë në varrim, por është ende e paqartë nëse do të lejohet që të qëndrojë dy ditë për të pritur vizitat pas mortit.


Mësohet se të paktën 3 furgonë dhe shumë makina të tjera policie shoqërojnë Asmer Bilalin në ceremoninë mortore, duke blinduar vendin pasi i druhen një arratisje të mundshme, ose një atentati ndaj tij, që mendohet të jetë zanafilla e larjes së hesapeve ndoshta me fisin Liçi.


Ndërkohë, kujtojmë se më herët gjyshi i tij i bëri thirrje në kufijtë e lutjes autoriteteve shtetërore, që të lejojnë Asmerin që të qëndrojë dy ditë pranë familjes për të pritur njerëzit.


Asmer Bilali është djali i Astrit Bilalit dhe Asmeri është në burg prej disa muajsh. Ai do të jetë vetëm në varrim por ne kërkojmë që të lihet të paktën dy ditë tek banesa e tij për të pritur njerëzit sepse nuk ka askënd. Vëllai i tij 23 vjeç është shumë i sëmurë dhe nuk është askush tjetër. Shpresojmë që institucionet të vendosin dorën në zemër dhe të na mirëkuptojnë në kërkesën tonë. I falënderojmë që e kanë lejuar të jetë në varrim por kërkojmë të qëndrojë pak më gjatë, të paktën dy ditë dhe normalisht me prezencën e policisë. Për të tjerat shteti të bëjë detyrën dhe nëse ka bërë diçka mund të dënohet por sot i kërkojmë ta lejojnë të paktën dy ditë që të qëndrojë sepse do dalin dy kufoma nga shtëpia jonë, tha Fahri Vejuka.