Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përmes një reagimi, ka dënuar aktin kriminal pasojë vdekjen e punonjësit, Sajmir Jaku, ndodhur sot në Rrëshen.
Saimir Jaku, i moshës 33 vjeç, deri më datën 31.08.2016 ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Njesisë së Tensionit të Larte Veri.
Sqarojmë se, më datën 01.09.2016, është transferuar në Drejtorinë e Tensionit të Lartë në Tiranë në pozicionin Shef Sektori i Asistencës Teknike SCADA + GIS/Dega Teknike, nga ku kryente detyrën normalisht deri në ditën e sotme.
Në maj të këtij viti, ish-kryeministri Sali Berisha kishte denoncuar se Saimir Jaku rezulton të jetë me precedentë penale. Por OSHEE në këtë reagim ka bërë publik dëshminë e penalitetit të punonjësit të tyre, i cili rezulton i padënuar.
"Në lidhje me deklaratat e deputetit të PD-së, Sali Berisha, OSHEE kërkon të sqarojë gjithashtu se "dëshmia penale" lëshuar nga Ministria e Drejtësisë dhe formulari i dekriminalizimit, plotësuar nga z.Jaku, tregojnë se punonjësi nuk është dënuar për vepra penale",- thuhet në reagimin e OSHEE-së.
"OSHEE i shpreh ngushëllime familjes dhe u bën thirrje organeve të drejtësisë të zbardhin sa më parë ngjarjen kriminale",- përfundon njoftimi.