Presidenti francez, Emmanuel Macron i ka thënë princit saudit, Mohammed bin Salman të premten se Europa do të insistojë që ekspertët ndërkombëtarë të jenë pjesë e hetimit për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll.


Në një takim në samitin e Grupit të 20 vendeve më të Industrializuara që po mbahet në Argjentinë, Macron ka nisur mesazhe shumë të ashpra ndaj princit saudit për vrasjen e Khashoggit dhe ka përmendur nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje politike për situatën në Jemen, ka thënë një zyrtar i presidencës franceze.


Gazeta saudite, The Saudi Gazette ka postuar disa video në të cilat shihen të dy liderët duke biseduar me njëri-tjetrin. Në video princi i ka thënë Macron mos u shqetëso derisa lideri francez përgjigjet jam i shqetësuar.


Macron më pas ka thënë: Ju nuk më dëgjoni asnjëherë, por princi ia kthen, do të dëgjoj, natyrisht.


Prokurori publik i Arabisë Saudite ka thënë se princi saudit nuk ka pasur dijeni për operacionin rreth vrasjes së Khashoggit.


Zyra e Macron ka thënë se takimi i liderit francez me princin saudit është arsyetuar si mesazh i përbashkët i kombeve evropiane rreth nevojës për të pasur hetime të sinqerta rreth këtij rasti.



30 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)