Marinsi amerikan që u qëllua dy ditë më parë në një bazë ushtarake në Chattanooga, Tennessee, vdiq sot, duke çuar në pesë numrin e viktimave në sulm. Organet amerikane të hetimit po përpiqen të përcaktojnë nëse i dyshuari për vrasjen e marinsave, kishte lidhje me terrorismin ndërkombëtarë.

Media amerikane njofton se Muhammad Youssef Abdulazeez kaloi 7 muaj në Jordani vitin e kaluar, dhe ka vizituar atë vend disa herë.

Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse ai kishte takuar ndonjë grup ekstremist në Jordani.

"Hetimi është në fazat fillestare dhe do ishte e parakohëshme të spekulonim mbi motivet e vrasësit. Ne po zhvillojmë një hetim të gjerë për të përcaktuar nëse ai veproi i vetëm." thotë Ed Reinhold me FBI-në.

Të premten në Çatanoga u mbajt një vigjilje për të ndihmuar komunitetin të përballojë vrasjet e katër marinsave të enjten.

Studentët në Universitetin Tenesi në Çatanoga, ku është diplomuar i dyshuari, mbajtën një vigjilje të premten për të kujtuar viktimat dhe për të shprehur ngushëllime rreth asaj që bëri ish studenti.

"Universiteti nuk e edukoi atë që të urrente dhe as komuniteti. Nuk dua t'ja di se nga është. Mendja më shkon tek katër marinsat që humbën jetën."

Grupi SITE Intelligence njoftoi se Abdulazeez shkroi një blog të henën duke thënë se myslimanët nuk duhet të humbasin mundësinë për t'u dhënë pas Allahut.

Autori u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.

Shtetet e Bashkuara kanë rritur masat e sigurisë në repartet ushtarake që kur grupi Shteti Islamik u ka bërë thirrje mbështetësve që të kryejnë sulme ndaj ushtrisë.