Vrasjet në Shkodër kanë sjellë një klimë pasigurie në qytetin verior dhe kjo ka shqetësuar së tepërmi edhe kryebashkiaken Voltana Ademi.


Ceremonia e prezantimit të prefektit të ri në Shkodër është shoqëruar me debate mes kryetares së Bashkisë Voltana Ademi me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.


Ajo u shpreh se bandat nuk duhet lënë të hanë kokën e tyre dhe madje ndihet e frikësuar nga e gjithë kjo gjendje në vend.


Dua të dal jashtë politikës se kjo është e rëndësishme. Ngjarjet e fundit janë bërë problematike. Nuk është vetëm Shkodra, është fatkeqësi për qytetin tonë, sidomos tani në sezonin turistik. Shkodra, por jo vetëm Shkodra, është edhe Vlora, Elbasani Durrësi, por fatkeqësisht Shkodra promovohet si qyteti ku ndodhin vrasje, grabitje dhe kjo na shqetëson shumë.


Flas si grua, si nënë, si qytetare. Qytetarët e Shkodrës janë qytetarë shumë të mirë, e duan shumë qytetin e tyre dhe duan të jetojnë këtu. Ne kemi marrë përgjegjësi që duhet t’i çojmë deri në fund me seriozitetin që i takon.


Fakti që kemi disa vrasje, asnjë nuk është zbuluar deri më tani, nuk janë bërë veprime me parandaluar, dhe ky është shqetësimi më i madh. Mos ti lëmë të hanë kokat e tyre, por duhet të bëjmë të mundur të parandalojmë me sa fuqi të kemi, policia duhet ta gjejë mënyrën, dhe ta bëjmë atë të mundur.


Me ndryshimin e drejtuesve, janë përballur me problematika të mëdha. Edhe drejtori i ri që ka ardhur…policia nuk mund ta bëjë e vetme këtu në Shkodër, do duhet të përdoren mekanizma të specializuar. Nëse nuk ndërhyhet, vështirë se do të ndalen vet.


Unë bashkëpunoj shumë mirë me forcat e policisë. Të gjithë ne duhet të bëjmë diçka që t’i themi stop, përtej partive politike. Frika është shumë e madhe, themi se janë banda kriminale, larje hesapesh, deklaroi ajo.


Gazeta Shqip