I vënë në pranga nga pala greke për shkak të një urdhri ndërkombëtar arresti, është ekstraduar sot nga Athina në Tiranë 37-vjeçari Saimir Gegolli, i cili është i dënuar me 9 vite burg për vrasje. Gegolli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pas një dënimi të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me datë 14.10.2010.


Policia sqaron se 37-vjeçari ka kryer një vrasje në vitin e largët 1997 në kohën kur qyteti i Beratit ishte vënë nën kontroll nga bandat si pasojë e luftës civile.


Më datë 05.07.1997, rreth orës 13:00 në afërsi të fshatit Uznovë, Berat, ky shtetas, i armatosur me armë zjarri pistoletë, së bashku me dy persona të tjerë A.K. dhe S.K., të armatosur me armë zjarri automatike, nën kërcënimin e armëve kanë ndaluar një makinë që udhëtonte nga Berati për në Skrapar dhe kanë detyruar të zbresin dhe të shtrihen përtokë të gjithë pasagjerët. Njeri prej pasagjerëve ka kundërshtuar tu bindet dhe Saimir Gegolli i ka shtënë në kokë me armë, duke i shkaktuar vdekjen shtetasit N.M., sqaron policia.


10 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)