Drejtori për arsim në komunën e Prishtinës, Remzi Salihu, u vra dje paradite në zyrën e tij të punës, sipas dyshimeve nga një mësues biologjie. Sipas disa informacioneve, autori i kësaj vrasjeje është Gani Sahiti, arsimtar i biologjisë, i cili kishte konkurruar për drejtor të shkollës në fshatin Dabishevc të komunës së Prishtinës. Moszgjedhja e tij drejtor në atë shkollë thuhet se e ka shtyrë Sahitin që të shkrepë pesë plumba në trupin e Salihut. Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate, ka dënuar vrasjen e drejtorit të Arsimit të komunës së Prishtinës, Remzi Salihu, të cilin e quan një sulm të rëndë kundër institucioneve të Republikës së Kosovës dhe cenim i rëndë i integritetit të zyrtarit institucional në vendin e tij të punës.