Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, njoftoi sot se një ushtarak amerikan është vrarë gjatë luftimeve në qytetin Irbil, në veri të Irakut. Sekretari Carter u tha gazetarëve në Stuttgard se nuk disponon për momentin informacione të mëtejshme. Sipas një zyrtari të ushtrisë amerikane, ai u vra duke kryer detyrën si këshilltar për njësitë kurde peshmerga. Zyrtari tha se ushtaraku u vra nga zjarri i forcave të Shtetit Islamik, të cilat depërtuan në vijën e frontit të forcave peshmerga.