(E plotësuar)  Drejtori i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Aleksandar Vulin ka deklaruar sot se Qeveria e Serbisë do të deklarohet qartësisht rreth mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe formimit të listës unike të serbëve për pjesëmarrje në to.


"Është shumë herët që të flitet për pengesat eventuale kur është fjala të lista unike e serbëve dhe e vetmja pengesë mund të jetë mosuniteti i serbëve”, ka thënë Vulin, i cili sot ka prezantuar në liturgjinë e mbajtur në një manastir në fshatin Zoçishtë, te Hoça e Madhe.




Vulin ka thënë se “të gjithë ata që do të votojnë në zgjedhjet lokale në Kosovë, këtë mund ta bëjnë me dokumente të Serbisë, ndërsa i gjithë komunikimi do të bëhet nëpërmjet OSBE-së.


----


Bogdanoviq: Qeveria të tregojë a të dalin serbët në zgjedhje në Kosovë


Deputeti nga Partia Demokratike në Kuvendin e Serbisë, Goran Bogdanoviq ka deklaruar se Qeveria e Serbisë duhet të tregojë decidivisht se a duhet serbët të dalin në zgjedhjet lokale në Kosovë, më 3 nëntor.


“Qeveria duhet të jetë decidive. Të na kumtojë se a duhet më 3 nëntor të dalim në ato zgjedhje. A duhet t‘i regjistrojmë partitë politike në Prishtinë, me çfarë dokumentesh do të votonim, a duhet pajisur me certifikata të reja të të ashtuquajturit shteti i Kosovës. Ka shumë çështje për të cilat kjo Qeveri, për fat të keq nuk ka thënë përgjigje, ndërsa nuk kemi shumë kohë”, ka thënë Bogdanoviq për televizionin Palma plus, transmeton gazeta serbe “Blic”.


Ish-ministri për Kosovën në qeverinë e kaluar tha se ai do të dal në zgjedhjet lokale të Kosovës, sepse pas Marrëveshjes së Brukselit, serbët nuk kanë tjetër mënyrë për të realizuar interesat e veta.


Bogdanoviq vlerëson se duhet të respektohet Marrëveshja e Brukselit , të cilën e ka miratuar Qeveria dhe Kuvendi, edhepse ai ka votuar kundër, dhe se nuk ka arsye që serbët në Kosovë të bojkotojnë./Indeksonline/